E Diel, 1 Nëntor 2026

Varret e zbrazëta dhe murgesha e heshtur

Murgesha, Sor Maria Gomez Valbuena, është personi i parë i paditur për përfshirjen e dyshuar në skemën, si rezultat i së cilës në Spanjë u vodhën me mijëra fëmijë të porsalindur nga nënat e tyre, të cilët më pas ju shiten prindërve adoptues. Por kur doli para gjykatësit, Gomez shfrytëzoi të drejtën e saj për të qëndruar e heshtur. Rreth 1500 akuza për vjedhje të foshnjave, duke filluar nga vitet e 50-ta, e deri nga mesi i viteve të 80-ta, janë regjistruar në Spanjë gjatë dy viteve të fundit.

Gruaja e moshuar, e cila të enjten doli nga gjykata në Madrid, dukej e humbur dhe si një fantazmë, por as brishtësia e saj, e as veshja e saj e kaltër e murgeshës, nuk ndali turmën e njerëzve të tubuar që ta fyejnë. “Turp të kesh”, i tha një grua. “Si munde të shkaktosh vuajtje kaq të mëdha?”

E enjtja ishte supozuar të ishte dita, në të cilën besohej se do të fillonte qartësimi i fatit të shumë njerëzve, të cilët besojnë se janë viktima të dekadave të tëra të skandalit të plaçkitjeve të foshnjave në Spanjë.

Murgesha e cila u ftua për të dëshmuar, Sor Maria Gomez Valbuena, është personi i parë i paditur për përfshirjen e dyshuar në skemën, si rezultat i së cilës u plaçkitën me mijëra fëmijë të porsalindur nga nënat e tyre, të cilët më pas ju shiten prindërve adoptues. Por kur doli para gjykatësit, Gomez shfrytëzoi të drejtën e saj për të qëndruar e heshtur. Dhe më vonë gjatë ditës, në një takim me përfaqësuesit e asociacionit të viktimave, zyrtarët e qeverisë spanjolle pranuan se edhe përkundër faktit se do të ndajnë burime administrative, në përpjekje për të bashkuar nënat dhe fëmijët e ndarë, gjasat janë tejet të vogla që të vendosen para drejtësisë njerëzit, të cilët ndanë familjet.

Rreth 1500 akuza për vjedhje të foshnjave, duke filluar nga vitet e 50-ta, e deri nga mesi i viteve të 80-ta, janë regjistruar në Spanjë gjatë dy viteve të fundit. Pjesa më e madhe prej tyre kanë përmbajtje identike: nënave të vetmuara apo grave të martuara të cilat kishin nga disa fëmijë, pas lindjes ju është thënë, në të shumtën e rasteve nga murgeshat që punonin si motra nëpër spitale, se fëmija i tyre i porsalindur kishte vdekur. Edhe pse prindërit adoptues kanë paguar shuma të mëdha parash për fëmijët që kanë blerë, prapa vjedhjeve më shumë ka qëndruar ideologjia, se sa lakmia.

“Ishin këto murgesha apo priftërinj, të cilët besonin se fëmijët do të kishin një jetë më të mirë, nëse do të jetonin në ndonjë familje më tradicionale dhe më morale”, shpjegon gazetarja Natalie Junquera, e cila i ka kryesuar hulumtimet e gazetës El Pais në lidhje me vjedhjet. “Ata vërtetë kanë besuar se po bënin gjënë e duhur”, shton ajo.

Që nga momenti kur rastet filluan të joshin më tepër vëmendje vitin e kaluar, me ndihmën e testeve të ADN-së janë bashkuar gjashtë nëna me fëmijët e tyre, për të cilët kishin besuar se janë të vdekur.

Me dhjetëra prindër kanë zbuluar se arkivolet, në të cilët kishin besuar se kishin varrosur fëmijet e tyre të porsalindur, ishin të zbrazët, apo se regjistrat civilë nuk përmbajnë certifikatat e vdekjes së fëmijëve, për të cilët kishin besuar se kishin vdekur pas lindjes.

Dhe përkundër kësaj, deri kur në sipërfaqe doli Sor Maria, askush nuk është paditur për këtë krim. Gjykatat kanë mbyllur shumë raste, për shkak të mungesës së dëshmive.

“Prokurorët janë të frustruar. Ata kanë shenja se diçka nuk është si duhet, çfarë mund të jetë më e qartë se një varr i zbrazët, por nuk posedojnë fakte, të cilat do të ishin të qëndrueshme në gjykatë”, thotë Junquera.

Viktimat kanë shpresuar se padia kundër Sor Marias do të ndryshojë gjërat. Kjo murgeshë u padit, pasi që testi i ADN-së bashkoi Maria Luisa Torresin me vajzën e saj Pilar, të cilën nuk e kishte parë që nga lindja. Sipas dëshmisë së saj, Torres në vitin 1982 ka qenë 24 vjeçare dhe e ndarë nga bashkëshorti, në momentin kur mbeti me barrë me një mashkull tjetër. Pasi që kishte dëgjuar për murgeshat në klinikën Santa Cristina në Madrid, të cilat ndihmonin femrat në pozitë të saj, ajo u takua me Sor Marian. “Pas lindjes, ajo më tha se vajza ime kishte vdekur”, theksoi Torres.

Të premten, babai adoptues i vajzës së Torresit dëshmoi se ai e kishte paguar Sor Marian për vajzën, duke shtuar se në atë kohë kishte menduar se po paguante, për të ndihmuar një femër të re në telashe.

“Sor Maria ka qenë një femër tejet e fuqishme. E shoh tani dhe nuk e njoh. Ishte një femër tejet e ftohtë, por unë i jam tejet mirënjohës, ngase më dha një vajzë”, deklaroi ai.

Sor Maria në ditën që u paraqit në gjykatë publikoi një letër, në të cilën deklaroi se ideja e ndarjes së një fëmije nga prindërit e vet biologjik është “neveritëse” për të. Edhe pse ajo mbetet nën hetime, pa dëshmi të fuqishme se ajo vërtetë e ka detyruar Torresin që të heq dorë nga fëmija i saj, ka shumë pak gjasa të përndjekjes së personave tjerë, të përfshirë në këtë skandal. (Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›