Juncker: Greqia duhet të fillojë privatizimet

Shefi i Eurogrupit Jean-Claude Juncker me një deklaratë në revistën gjermane "Fokus", shkaktoi tronditje në skenën politike greke. Vetëm disa orë pasi Athina mori dritën jeshile për lëvrimin e këstit të pestë nga paketa e ndihmës së BE dhe FMN, politikani nga Luksemburgu tha se, sovraniteti kombëtar i Greqisë do të reduktohet në mënyrë drastike, dhe se, shteti grek duhet të privatizojë pasuritë e tij shtetërore në atë shkallë, si Gjermania Lindore në fillim të viteve 90.
Deklaratat e tij u konsideruar si tepër cinike nga një pjesë e madhe e shtypit grek, ndërsa qeveria e Papapandreut nuk ka dhënë deri tani asnjë reagim. Ndërkohë në orët e fundit është publikuar edhe një raport i Komisionit Europian, në të cilin shkruhen qartë kushtet me të cilat partnerët e Greqisë u bindën për të dhënë këstin e pestë prej 12 miliardë eurosh, si dhe vërtetohen ato ç`ka ka thënë Juncker, se tani e tutje Greqia do të jetë nën vëzhgimin e europianëve.