Juve në Madrid për Higuain, Reali i kërkon Vidal
Kërkohet edhe Jovetic për të formuar një sulm ëndrrash me argjentinasin
Drejtuesit e Juventusit Beppe Marotta dhe Fabio Paratici kanë takuar dje në Madrid sulmuesin e Realit Gonzalo Higuain. Mësohet se sulmuesi ka rënë dakord me drejtuesit e Juves për të luajtur sezonin e ardhshëm në Torino. Por sipas mediave spanjolle Reali kërkon të fusë Vidalin në tratativa.
E kërkon Ancelotti
Mesfushori kilian, protagonist i një sezoni shumë të mirë me bardhezinjtë ëhtë konsideruar si një nga objektivat kryesorë të merkatos për Carlo Ancelotti, që duke përjashtuar surprizat do të marrë vendin e Mourinhos në Madrid. Ai ka kërkuar vetëm dy emra: atë Cavanit për sulmin, dhe të Vidal për mesfushën. Por këtu tratativa duket se do të ngecë. Sepse trajneri i Juves, Antonio Conte e ka vënë si kusht që Vidal nuk duhet të shitet në asnjë mënyrë.
Jovetic
Por Juvja nuk frenohet vetëm me Higuain, pasi ajo kërkon edhe malazezin Stevan Jovetic nga Firence. Me afrimin e merkatos së verës, shoqëria toskane është e detyruar të pranojë ofertën më të majme për talentin ballkanas dhe në radhë të parë për ta afruar në skuadër mbetet Juventusi. Presidenti Dela Valle nuk e mban të lidhur lojtarin, madje ai është shprehur se nëse dëshiron të largohet, ai mund ta bëjë një gjë të tillë dhe pas kësaj fjalie, agjenti i tij, Fali Ramadani ka nisur kontaktet me shoqërinë bardhezi për ta mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje sepse prioritet i sulmuesit malazez mbetet kampionati italian, pavarësisht presionit të fortë edhe nga Arsenali. Fiorentina e vlerëson sulmuesin me rreth 30 mln Euro, por nga ana tjetër Juventusi ka një formulë më të komplikuar sepse paratë kesh mungojnë dhe në këtë rast, transferimi i një lojtari me peshë në Artemio Franchi mund ta bindë presidentin Della Valle ta rimendojë kërkesën e tij. Juventusi ka vendisur në listën e zgjedhjeve njërin prej Giovincos, Quagliarellas, Matrit e Islas. Njëra prej paketave të propozuara nga Marotta është 8-10 milionë plus Isla e Quagliarella, pasi ky i fundit pëlqehet shumë nga trajneri Vincenzo Montella. Gjithsesi, këto janë vetëm disa nga detajet e bisedimeve dhe vullneti i mirë mes palëve mund të çojë shumë shpejt në finalizimin e marrëveshjes që nuk parashikohet të mbyllet në terma huazimi sepse Fiorentina kërkon ta shesë të gjithë kartonin e lojtarit malazez nëse dëshira e tij është ti japë lamtumirën.
Tevez
Nga ana tjetër Juventusi po negocion edhe me sulmuesin argjentinas të Manchester City, Carlos Tevez, dhe duket se tratativat po ecin mirë. Pra diçka është e sigurtë, që Juvja për sezonin e ardhshëm do të marrë një sulmues të madh.