KAJRO – Egjipti përgatitet për dërgimin e ndihmave në Gazë

AL ARISH, 18 janar /ATSH-DPA/- Zyrtarët e qeverisë egjiptiane inspektuan sot përgatitjet për dërgimin e ndihmave në Rripin fqinj të Gazës – një ditë përpara se të hyjë në fuqi marrëveshja e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.
“Ministri i Shëndetësisë dhe Popullsisë, Khaled Abdel-Ghafar dhe ministrja e Solidaritetit Social të Egjiptit, Nivine El-Qabbage inspektuan sot pikën kufitare të Rafahut në kufirin midis brezit bregdetar dhe Egjiptit dhe një zonë logjistike ku janë stacionuar rreth 600 kamionë me ndihma”, thanë zyrtarët lokalë.
Të dy ministrat vizituan spitalet dhe objektet mjekësore në Sinain e Veriut, duke u përgatitur për të pritur të plagosurit nga Gaza, njoftoi transmetuesi shtetëror i Egjiptit Al-Qahera News.
Ata inspektuan gjithashtu pajisjet e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane dhe magazinat e saj logjistike në provincën, pjesë e Gadishullit Sinai.
Ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel-Ghafar tha se Egjipti është gati të presë palestinezët e plagosur që largohen nga Gaza në ditët në vijim.
Në maj të vitit të kaluar, Izraeli mori nën kontroll pikën kufitare të Rafahut në kufirin midis Gazes dhe Egjiptit – në një operacion që ndaloi dërgesat e ndihmave përmes objektit jetësor në brezin bregdetar të populluar. //a.i/