KANADA – Ministrat e Jashtëm të G7 takohen mes tensioneve me Trump

LA MALBAIE, 13 mars /ATSH/- Ministrat e Jashtëm të vendeve kryesore demokratike perëndimore do të takohen sot në Kanada – pas shtatë javësh tensionesh në rritje midis aleatëve të SHBA-së dhe presidentit Donald Trump lidhur me ndryshimin e politikës së tij të jashtme ndaj Ukrainës dhe vendosjen e tarifave, sipas “Reuters”.
Grupi i Shtatë Ministrave nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me BE-në, do të takohen në qytetin turistik, La Malbaie, për një takim dyditorë për të diskutuar gjerësisht çështjet me të cilat ato përballen.
Në krye të axhendës për partnerët e Uashingtonit do të jetë marrja e një informimi mbi bisedimet e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio të martën me Kievin në Xhedah të Arabisë Saudite, ku Ukraina tha se ishte gati të mbështeste një marrëveshje armëpushimi 30-ditore.
Por në prag të takimit të parë G7 të presidencës së Kanadasë, hartimi i një deklarate përfundimtare gjithëpërfshirëse të rënë dakord ka qenë e vështirë.
Një vendim i SHBA-së për të vendosur tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit nxiti menjëherë masat reciproke nga Kanadaja dhe BE-ja, duke nxitur tensionet.
Uashingtoni ka kërkuar të vendosë vija të kuqe rreth Ukrainës dhe ka kundërshtuar një deklaratë të veçantë për ndalimin e të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë, një rrjet anijesh që u shmanget sanksioneve, ndërsa kërkon një gjuhë më të fortë ndaj Kinës.
Të hënën, Rubio paralajmëroi se Uashingtoni nuk dëshironte një gjuhë që mund të dëmtonte përpjekjet për të sjellë Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve.
Diplomatët e G7 thanë se rezultati pozitiv i bisedimeve në Xhedah mund të lehtësojë bisedimet për Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga kthimi i Trump në detyrë më 20 janar, kanë marrë një qëndrim më pak miqësor ndaj Ukrainës, duke nxitur një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës.
Edhe Japonia, e varur nga garancitë e sigurisë amerikane, e ka gjetur veten në “vijën e zjarrit” të Trump.
“Është shumë e vështirë. Ndoshta duhet të presim për G8”, tha me ironi një diplomat evropian.
Trump ka sugjeruar se G8 mund të ringjallet me kthimin e Moskës 11 vjet pasi anëtarësimi i saj në grup u pezullua për shkak të aneksimit të Krimesë.
Askund vështirësitë për aleatët e SHBA-së nuk kanë qenë më të dukshme se sa në Kanada.
Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kanadasë janë në nivelin më të ulët historik, për shkak të kërcënimeve të Trump për të vendosur tarifa për të gjitha importet nga Kanadaja dhe interesit së tij për aneksimin e vendit për ta bërë atë shtetin e 51-të të SHBA-së.
Diplomatët evropianë thanë se shpresonin të përdornin takimin e G7 për të vlerësuar drejtpërdrejt se sa ndikim ka Rubio në politikën e jashtme të SHBA-së. //a.i/