E Martë, 3 Nëntor 2026

KAS rrëzon opozitën për zgjedhjet për Bashkinë Himarë: Nuk ka shkelje

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e “Bashkë Fitojmë” për përsëritjen e zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës.

Përfaqësuesi ligjor i opozitës në KAS kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, pasi sipas tij zgjedhjet e 4 gushtit, u shoqëruan me problematika dhe parregullsi të rënda gjatë procesit të votimit.

“Problemi më i madh, pamundësimi i votimit mbi 26% të listës së zgjedhësve. Kjo për ne është një nga shkeljet më të mëdha që kanë ndodhur në këtë bashki, ku nuk u mor asnjë masë nga KQZ apo institucionet e tjera për të sensibilizuar qytetarët duke bërë thirrje.

1437 zgjedhës kanë pasur vështirësi në identifikim, ndërsa 388 zgjedhës kanë rezultuar me verifikim pa shenja.

Kërkojmë pranimin e kërkesës sonë duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve, si dhe ripërsëritjen e tyre”, deklaroi ai.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i cili argumentoi se nga hapja e kutive rezultoi se kishte zero shkelje të ligjit. Sipas tij, zgjedhjet në Himarë ishin të drejta dhe se kërkesa e “Bashkë Fitojmë” për përsëritjen e këtyre zgjedhjeve është e pabazuar në ligj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›