KATAR – Ndërmjetësit diskutojnë nismën e re për armëpushim në Gazë

TEL AVIV, 28 tetor /ATSH-DPA/- Palët në bisedimet e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Katar kanë diskutuar një iniciativë të re që kombinon propozimet e mëparshme, tha sot qeveria izraelite në një deklaratë.
“Nisma e re merr parasysh çështjet kryesore dhe zhvillimet e fundit në rajon”, tha zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme izraelite Mossad, David Barnea, u largua nga Doha pas bisedimeve me drejtorin e CIA-s, William Burns dhe kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Bisedimet me ndërmjetësit do të vazhdojnë në ditët në vijim – në një përpjekje për të arritur një marrëveshje.
Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi propozoi të dielën një armëpushim dyditor – për të lejuar shkëmbimin e katër pengjeve izraelite me disa të burgosur palestinezë.
Egjipti, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katarin, është një nga ndërmjetësit në negociata.
Sipas raporteve të medias, udhëheqja e Izraelit po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje të kufizuar për të rikthyer në rrugën e duhur bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse./ /a.i/