Projektbuxheti nuk parashikon taksa të reja në 2025-ën

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Në projektbuxhetin e vitit 2025 Ministria e Financave nuk ka hartuar një paketë të re fiskale, e cila do të gjenerojë të ardhura shtesë.
Në relacionin shoqërues të projektbuxhetit, Ministria e Financave thekson se ndër masat e politikave fiskale të parashikuar në këtë buxhet janë ligjet tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025.
Konkretisht, në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet, ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit.
Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekësh, si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.
Në buxhetin e të ardhurave të vitit 2025, janë parashikuar të gjenerohen 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”.
Të ardhurat shtesë të parashikuara, përfshijnë si taksat nacionale të programuara të regjistrimit të operatorëve që do operojnë në fushën e basteve sportive, edhe të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit për baste sportive online që do paguajnë subjektet që do licensohen.
Nga data 1 korrik 2024 u zbatua reforma e dytë buxhetore e rritjes së pagave në administratën shtetërore. Rritja e fondit të pagave për administratën shtetërore ka efekt në të ardhurat nga tatimi mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për vitin 2025, janë parashikuar që 7 muajt e parë, efekti në të ardhura do të jetë 6.2 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë lekë janë të ardhura nga tatimi mbi pagën dhe gati 4.3 miliardë lekë janë të ardhurat nga kontributet. /j.p/