E Hënë, 2 Nëntor 2026

KE: SPAK rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Progresraporti i Komisioni Evropian i vitit 2025 për Shqipërinë vlerëson përparimet e bëra nga vendi ynë në sistemin e drejtësisë.

Sa i përket Kapitullit 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore, progresraporti vëren se, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore dhe ka bërë disa përparime gjatë periudhës raportuese.

Sa i përket funksionimit të gjyqësorit, progresraporti thekson se, Shqipëria është midis një niveli të moderuar dhe një niveli të mirë përgatitjeje dhe ka bërë disa përparime në funksionimin e gjyqësorit.

Gjithashtu, në progresraport thuhet se, Shqipëria vazhdoi zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Procesi i verifikimit për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët u finalizua në shkallën e parë, duke forcuar më tej pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore. Procedurat e verifikimit në apel janë rritur me ritëm dhe tani janë në rrugën e duhur për të përmbushur afatin kushtetues të qershorit 2026, shton progresraporti.

Progresraporti shton se, përpjekjet e qëndrueshme për reformimin e sistemit gjyqësor janë të nevojshme për forcimin e mëtejshëm të drejtësisë dhe ruajtjen e standardeve të larta të integritetit pas përfundimit të procesit të rivlerësimit. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Për vitin e ardhshëm, progresraporti thekson se, Shqipëria duhet të forcojë më tej llogaridhënien duke përfunduar procesin e rivlerësimit, duke përmirësuar standardet e vlerësimit të pasurive dhe të sfondit të magjistratëve, duke përputhur rregullat për të gjithë jomagjistratët me ato për magjistratët, duke plotësuar vendet vakante në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe duke reduktuar ndikimin politik në gjyqësor dhe prokurori.

Gjithashtu duhet të përmirësojë cilësinë e drejtësisë duke plotësuar vakancat për kryetarë gjykatash, magjistratë, këshilltarë ligjorë dhe stafin e gjykatave në të gjitha nivelet, duke rritur gjithashtu numrin total të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë, duke rishikuar provimin hyrës dhe programet e trajnimit të Shkollës së Magjistraturës dhe duke përmirësuar integritetin e stafit të saj.

Shqipëria, sipas progresraportit, duhet të rrisë efikasitetin gjyqësor duke miratuar masa ligjore dhe rregullatore për të përshpejtuar punën e gjykatave, për të reduktuar numrin e çështjeve të pazgjidhura, për të përfunduar pilotimin e sistemeve të menaxhimit të rasteve dhe për të zgjeruar sistemin online të njoftimeve në të gjitha gjykatat e përgjithshme.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, progresraporti thekson se, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur dhe ka treguar disa përparime.

Progresraporti vëren se, Strategjia Antikorrupsion 2024-2030 është miratuar. Struktura e Specializuar Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka konsoliduar rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorët më të ndjeshëm, duke përfshirë të gjitha fushat publike dhe private.

Për vitin e ardhshëm, progresraporti thekson se Shqipëria duhet të forcojë hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, duke siguruar më shumë dënime përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta, duke përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale.

Po ashtu, vendi rekomandohet të plotësojë dhe thjeshtojë legjislacionin për parandalimin e korrupsionit në përputhje me standardet evropiane, të zbatojë planet e integritetit në institucionet e rrezikuara dhe të rrisë kapacitetet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), të rrisë efektivitetin dhe transparencën e kontrolleve të deklarimeve të pasurive nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, duke siguruar burime të mjaftueshme dhe duke publikuar online deklarimet e personave politikisht të ekspozuar.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›