Progresraporti i KE: Shqipëria të fillojë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Komisioni Evropian vlerëson Shqipërinë sa i përket reformës në administratën publike.
KE publikoi sot progresraportin e vitit 2025 për Shqipërinë, ku vëren se mbetet e përgatitur në mënyrë të moderuar në fushën e reformës së administratës publike.
Shqipëria bëri disa përparime gjatë periudhës së raportimit, duke rezultuar në miratimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit (ISAC) 2024–2030 dhe Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 në dhjetor 2024, dhe të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën e Administratës Publike 2025-2030 në korrik 2025, thekson progresraporti.
Amendamentet në ligjet për shërbimin civil dhe për organizimin e administratës shtetërore mbeten për t’u miratuar, këto të fundit të paraqitura për konsultim publik. Praktika e rishikimeve të buxhetit të kryera përmes akteve normative të miratuara nga ekzekutivi vazhdon, vijon progresraporti.
Sipas progresraportit rekomandimet e komisionit nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
Progresraporti nënvizon se, vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti të fillojë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike dhe të rishikojë efektivitetin e strukturave aktuale të monitorimit; të kufizojë përdorimin e akteve normative për rishikimet e buxhetit dhe të ndjekë një kthim në proceset e rregullta të rishikimit të buxhetit.
Të miratojë dhe zbatojë një kuadër të ri legjislativ për shërbimin civil, i cili përfshin rregulla të rishikuara mbi rekrutimin, ngritjen në detyrë dhe shkarkimin bazuar në meritë në ligjin e shërbimit civil në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivelin e lartë, dhe të fillojë sërish automatizimin e sistemit të pagave.
Të miratojë dhe zbatojë legjislacionin e rishikuar që rregullon siç duhet tipologjinë dhe kriteret për të ngritur institucione të varura dhe për të sqaruar linjat e llogaridhënies.
Sa i përket të drejtave themelore, progresraporti vëren se, legjislacioni i Shqipërisë siguron një bazë të mirë për mbrojtjen e të drejtave themelore.
Progresi i rëndësishëm u arrit me miratimin e Ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjeve shoqëruese, si dhe me ligjet për të drejtat e pakicave kombëtare, në përputhje me standardet europiane. Megjithatë, liria e medieve, e drejta e pronës dhe të drejtat e minoriteteve mbeten problematike, nënvizon progresraporti.
Progresraporti thekson se, Shqipëria duhet të sigurojë zbatimin efektiv të të drejtave të personave të pakicave dhe të rrisë kapacitetet e Komitetit Shtetëror për Minoritetet Kombëtare dhe autoriteteve lokale.
Po ashtu, progresraporti rekomandon të përmirësojë të drejtën e pronës dhe sigurinë juridike përmes regjistrimeve të para, dixhitalizimit të dokumenteve dhe përmirësimit të të dhënave kadastrale, duke garantuar transparencë dhe integritet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Të harmonizojë legjislacionin kombëtar me atë të BE-së (acquis) për barazinë dhe mosdiskriminimin, duke përfshirë orientimin seksual dhe shprehjen gjinore, dhe të zbatojë në mënyrë efektive Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe deinstitucionalizimin e fëmijëve.
/gj.m/j.p/r.e/