E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Shikimi i gjinisë para lindjes, shkak për aborte

TIRANË- Njohja e gjinisë gjatë kohës së shtatzënisë është bërë shpesh shkaktar për abortimin e foshnjës. Kryesisht 'dënimi në embrion' është për seksin femër. Specialistët shqiptarë të mjekësisë kanë nisur të diskutojnë mbi mundësinë ose jo të tregimit të gjinisë së fëmijës para lindjes.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili deklaroi se për të eliminuar abortin selektiv në vendin tonë, nuk përjashtohet mundësia e mostregimit të gjinisë. Shqipëria e legjitimoi abortin në fillim të viteve '90 dhe ai lejohet deri në javën e 12-të të shtatzënisë. Në lidhje me këtë çështje, drejtoresha e maternitetit "Koço Gliozheni", Rubena Moisiu, ka thënë se raste të aborteve selektive në vendin tonë ka, por mungojnë statistikat e sakta. "Nuk jam në dijeni për atë çfarë ka thënë ministri Vasili, por për ne është e rëndësishme se çfarë do të vendoset. Ka raste, nuk mund të thuhet se nuk ka raste të aborteve selektive në vendin tonë, por mungojnë statistikat",- ka thënë Moisiu.
(el.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›