KE-ja publikon raport special. Shkupi pret negociatat, Serbia sinjal negativ
Shkup- Komisioni Evropian pritet të publikojë ditën e sotme raportin e progresit për Maqedoninë, nga i cili do të varet data për nisjen e negociatave.
Sipas agjensisë së lajmeve INA, raporti do të qartësojë se Shkupi në Samitin e Këshillit Evropian që do të mbahet në muajin qershor, a do të mund të marrë datën për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Raporti vjen në të njëjtën ditë kur Shkupin do ta vizitojë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.
Raporti special do të përmbajë edhe vlerësimet për procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit, për zgjedhjet lokale, reformat, marrëdhëniet dypalëshe fqinjësore me Bullgarinë, dialogun paraqasës të nivelit të lartë me BE si dhe çështje të tjera.
Eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fyle sot do ta prezantojë raportin në Strasburg, ndërsa nga burime diplomatike mësohet se KE do të përsëris rekomandimin për anëtarësim të Maqedonisë në BE, por duke mos dhënë detaje të tjera, raporton INA.
Në raport do të nënvizohet progresi dhe regresi në planin e reformave, dialogut politik, zgjedhjeve, marrëdhënieve ndëretnike dhe fqinjësore si dhe integrimet evropiane. Parlamenti Evropian edhe përkundër paralajmërimeve akoma nuk ka votuar Rezolutën për Maqedoninë, lidhur me vlerësimin e procesit të evrointegrimeve dhe reformave.
KE sot njëkohësisht do të publikojë raportin e progresit edhe për Serbinë, ku do të vlerësohet progresi i saj në planin e reformave dhe integrimeve evropiane, ndërsa një ndër çështjet kyçe janë relacionet me Kosovën dhe dështimi i bisedimeve, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes. Pritet që sinjali të jetë negativ për Serbinë dhe të mos ketë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim, pas refuzimit serb për të firmosur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.