E Diel, 1 Nëntor 2026

KED: Pretendimet në media për fshehje informacioni, të pavërteta dhe të rrezikshme

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi reagoi sot pas publikimit të bërë në televizionin Top Channel, në lidhje me pretendimet se ky institucion dhe kryetari i tij kanë fshehur informacion mbi zgjedhjet e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e KED thuhet se ky publikim ka tejkaluar kufijtë e ushtrimit të përgjegjshëm të lirisë së medias, përmes akuzave të pabazuara dhe pretendimeve të rënda, të pavërteta dhe shumë të rrezikshme, që cenojnë figurën e magjistratëve të përmendur dhe autoritetin e organeve kushtetuese.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson të nevojshme të informojë opinionin publik për disa fakte themelore. Indikacionet paraprake tregojnë se ky publikim mbështetet mbi të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, në kufijtë e shkeljeve penale. Sa më sipër përbën një devijim serioz nga standardet ligjore dhe etike të informimit publik, ndërsa mbetet i paqartë qëllimi i vërtetë i lajmit”, thuhet në njoftim.

KED shprehet në njoftim e ky institucion dhe kryetari i tij nuk kanë fshehur asnjë informacion.

“Çdo veprim dhe vendimmarrje e Këshillit është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe është formalizuar me vendime të miratuara, të cilat publikohen në mënyrë të rregullt në faqen zyrtare të KED, në respekt të parimit të transparencës dhe llogaridhënies publike. Një gjë e tillë nuk ka gjetur pasqyrim në raportimin mediatik të lartpërmendur”, vijon njoftimi.

KED shprehet se “ligji përcakton qartë se të dhënat që prekin sigurinë kombëtare administrohen në mënyrë të posaçme dhe nuk mund të bëhen publike. Këshilli, duke respektuar rreptësisht detyrimet ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit, ka verifikuar se të dhënat e përcjella ishin të pabazuara dhe nuk kishin asnjë ndikim ligjor apo faktik në vlerësimin e kandidatit”.

“Publikimi i djeshëm përbën një akt të papërgjegjshëm, që cenon rëndë integritetin e magjistratëve, autoritetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të institucioneve të tjera kushtetuese. Përhapja e të dhënave të klasifikuara ose interpretimi i shtrembëruar i tyre përbën shkelje të ligjit dhe dëmton besimin e publikut tek institucionet kushtetuese”, vijon njoftimi.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kërkon organeve kompetente të verifikojnë menjëherë mënyrën se si është siguruar dhe shpërndarë informacioni i pavërtetë që mund të përmbajë të dhëna të klasifikuara, si dhe të vlerësojnë përgjegjësitë ligjore që rrjedhin nga ky veprim për efekt të ndjekjes penale ose administrative, në përputhje me parimet e përgjegjësisë dhe etikës publike.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi siguron opinionin publik se mbetet i përkushtuar që çdo proces të zhvillohet me paanësi, profesionalizëm dhe respekt të plotë për ligjin, i pandikuar nga asnjë formë presioni apo ndërhyrje të paligjshme, duke garantuar që vlerësimi i kandidaturave të bëhet mbi baza të dokumentuara, të verifikueshme dhe në përputhje me parimet kushtetuese.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›