E Hënë, 2 Nëntor 2026

KED përfundon verifikimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) njoftoi se përfundoi sot verifikimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Në një njoftim pas përfundimit të mbledhjes së sotme, KED bëri me dije se ka përfunduar verifikimin për kandidatin e shtatë dhe të fundit, kryetarin e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Bibën, pasi ai është tërhequr nga gara.

“Gjatë kësaj mbledhjeje, KED shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturës dhe vendosi: Përfundimin e procedurës së verifikimit të Denar Bibës për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë në datën 11.12.2024, për shkak të tërheqjes së tij nga kandidimi”, thuhet në njoftimin për mediat.

KED njofton gjithashtu se me këtë ka përfunduar kështu fazën e verifikimit të kandidatëve për vendin vakant të Holta Zaçajt.

“Gjatë kësaj faze, Këshilli ka verifikuar përputhshmërinë e kandidatëve me kriteret ligjore dhe kushtetuese, duke vlerësuar dokumentacionin, pasurinë, integritetin e figurës dhe përvojën profesionale. Pas përfundimit të verifikimit, procesi kalon në fazën që përfshin vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve sipas kritereve të përcaktuara në ligj dhe rregulloret e KED. Ky vlerësim synon të sigurojë një proces të drejtë, transparent dhe objektiv, duke garantuar që kandidatët më të kualifikuar dhe me integritet të përfaqësojnë standardet më të larta profesionale dhe etike në Gjykatën Kushtetuese.”, vijon njoftimi i KED-së, që siguron se do të vazhdojë zbatimin korrekt të të gjitha fazave të përzgjedhjes që vijojnë më pas.

Kandidatët e kualifikuar për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese:

-Alban Toro

-Alma Faskaj

-Asim Vokshi

-Florian Ballhysa

-Genta Tafa Bungo

-Naureda Llagami

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›