E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEQ E MË KEQ!

Rudina Seseri

Shkak që unë të shkruaj përsëri mbi fakte shumë të njohura për krizën tonë politike dhe ekonomike u bë raporti i porsa publikuar i Bankës Europiane me një parashikim të errët të treguesve makroekonomikë për vendet e Europës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Në rastin e vendit tonë, kjo analizë është në përputhje të plotë me Raportin e Progresit të Bashkimit Europian, i cili skanon të gjithë jetën politike, ekonomike e sociale të vendit.

Banka Europiane, e bazuar pjesërisht në statistikat e INSTAT, parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit nuk do të kalojë 1.9%; ndërsa në vitin e ardhshëm do të zvogëlohet më tej deri në 1%. Këto janë shifrat më të ulëta të rritjes ekonomike të dy dekadave të tranzicionit shqiptar. Qeveria Berisha, e pasionuar pas rekordeve, është në prag të thyerjes së një rekordi negativ njëzetvjeçar. Por ky nuk është i vetmi rekord negativ!

Ky rekord është një përfundim logjik. Dërgesat e emigrantëve janë më shumë se përgjysmuar, pavarësisht se Banka e Shqipërisë i sheqeros shifrat për të mos ngjallur panik, sheqerosje që duhet të kuptohet si lëmoshë për të ndihmuar Guvernatorin të marrë një mandat të dytë. Eksportet dhe importet kanë rënë, fakte që flasin për frenimin në vazhdimësi të ekonomisë, rënies së ndjeshme të konsumit dhe importimit gjithnjë e më pak të lëndëve të para. Investimet publike janë shkurtuar dukshëm e për këtë nuk është e nevojshme njohja e makroekonomisë. Mjafton të vëresh se këtë vit, në nivel kombëtar, Kryeministri jo vetëm nuk po inauguron dot fillime punimesh në asnjë projekt, por me vështirësi po gjen disa rrugë të financuara e përfunduara prej kohësh për të prerë shiritat ose, në rastet me tipike, vizitat e tij janë për të ndjekur punimet në rrugët e mëdha – të nisura nga hera, por që nuk po përfundojnë dot. Në nivelin lokal, gjendja është katastrofike, sepse asnjë investim nuk fillon këtë vit, pasi buxheti i shtetit ska fonde. Investimet e huaja kanë rënë në nivelet më të ulëta të tyre, për shkak të krizës që na rrethon dhe uljes së interesit të investitorëve përballë korrupsionit të lartë dhe moszbatimit e ndryshimit të shpeshtë të ligjeve qeverisëse. Të ardhurat vazhdojnë të pakësohen ndjeshëm falë rritjes së falimentimeve në sipërmarrje, prodhimi në vend është minimal, fluksi i mallrave në dogana është përgjysmuar, ndërsa korrupsioni është dyfishuar. Turizmi, prioriteti çudibërës i Qeverisë, ka përfunduar si mos më keq gjithashtu me restorante e hotele në plazhe të ndotura, pa ujë, pa drita dhe, rrjedhimisht, pa turistë.

Gjendja ekonomike e njerëzve të thjeshtë është keq e më keq. Rritjet dy-tre përqindëshe të pagave nuk përballojnë dot shtrenjtimin dhjetëra përqindësh të kostos së jetesës, sidomos të ushqimeve dhe ilaçeve. Shtresat e varfra, sidomos fshatarët dhe pensionistët, janë më të fundosur në vështirësi se kurrë më parë. Në qytet, shumica e njerëzve janë të papunë, ecin rrugëve me duar në xhepat bosh ose kalojnë orë të tëra kafeneve e bilardove. Punonjësit e administratës publike jetojnë me alarmin e flakjes nga puna dhe përpiqen kush e kush të demonstrojë besnikërinë ndaj Partisë dhe të fitojë ndonjë lek nën dorë.

Politikisht, më keq se kaq skemi qenë asnjëherë. Bashkimi Europian na e bëri të qartë se rruga që po ndjekim nuk na çon në Europë, madje është një rrugë drejt asgjëkundit. Jemi i vetmi vend i Europës që nuk bëjmë dot zgjedhje sipas standardeve, sepse votat vidhen haptazi në tavolinë duke e shndërruar kështu shpresën për pranim në BE në një iluzion. Jemi i vetmi vend i Europës pa një parlament të mirëfilltë pluralist; opozita trajtohet si fasadë dekoruese e një ëmbëlsire të prishur dhe në parlament dëgjohen vetëm monologët pa vlerë të Kryeministrit. Përfundimisht, institucioni i parlamentit nuk funksionon, ligjbërja është bërë (e thënë shqip) paçavure dhe procedurat janë mosekzistuese. Jemi i vetmi vend i Europës që nuk kemi dakordësi për asgjë, as edhe për gjërat që smund të kemi mendime të ndryshme. Jemi i vetmi vend i Europës ku administrata publike vazhdon të jetë thellësisht e politizuar, pa transparencë emërimesh dhe me persekutime dhe largime të shumta nga puna. Jemi i vetmi vend në Europë ku sistemi i drejtësisë është krejtësisht i paralizuar dhe nuk ka asnjë shenjë pavarësie. Jemi i vetmi vend në Europë që korrupsionin e kemi kthyer në sistem qeverisjeje, ku Qeveria nxjerr dhe ekzekuton haptazi vendime korruptive në dëm të qytetarëve dhe të pronës publike, por qartazi në dobi të rrethit të saj të ngushtë.

Ekonomikisht, më keq se kaq skemi qenë asnjëherë. Jemi i vetmi vend në Europë që jo vetëm nuk kemi zgjidhur çështjen e pronës, por skemi bërë as edhe një hap përpara në këtë kriter themelor të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Madje, edhe analizat për këtë temë të ngarkuar politikisht kanë ngelur në nivelin teorik, pseudo-intelektual, pasi sështë marrë mundimi të përgatitet asnjë strategji minimale apo plan veprimi se si do ta zgjidhim këtë problem. Jemi i vetmi vend i Europës që me kokëfortësi komuniste nuk pranojmë ta reformojmë e ta bëjmë te pavarur Institutin e Statistikës, i cili vazhdon të funksionojë me një regjistër biznesi dhe statistika sektoriale joadekuate, me statistika jo të besueshme për llogaritë kombëtare, për deficitin dhe investimet e huaja, me metodika llogaritjeje të inflacionit dhe të papunësisë që nuk përputhen me asnjë standard ndërkombëtar.

Jemi më keq se asnjëherë tjetër, por e keqja nuk ndalon këtu. E keqja më e madhe është se Qeveria jo vetëm që vazhdon të mbyllë sytë e të mos bëjë detyrën e saj, por na bën dhe qesharakë, duke deklaruar se, së bashku me Gjermaninë, jemi ekonomia më e fortë e Europës, madje në disa aspekte ia kemi kaluar dhe SHBA-ve, ndërsa për disa arritje të tjera krahasohemi vetëm me vendet Skandinave dhe, në çdo fushë, jemi të kualifikuar ti japim mësime botës. Ska si të jetë ndryshe, kur jemi i vetmi vend në Europën Lindore që vazhdojmë të udhëhiqemi nga një ish-kuadër komunist, që me mendësinë dhe stilin e tij punon vetëm të manipulojë propagandën e mediat, pasi substanca e mirëfilltë që përfshin planifikimin, menaxhimin dhe zhvillimin e vendit është mosekzistuese në kulturën e tij profesionale.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›