KFOR dhe EULEX, të garantojnë lirinë e lëvizjes në veri

KFOR-i dhe EULEX-i duhet garantuar lirin e lëvizjes në veriun e Kosovës ndryshe nuk duhet vazhduar dialogu me Serbinë as për veriun e as për tema të tjera, madje ky duhet të jetë parakusht i Kosovës për bisedime. Kështu thuhet në raportin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike me titull “Liria e Lëvizjes në Veriun e Kosovës: Sfidat në vendosjen e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes efektive”.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se KFOR-i dhe EULEX-i do të duhej të garantonin liri bazike të lëvizjes në veriun e Kosovës. Sipas Korenicës nëse ky parakusht nuk ekziston nuk ka asnjë arsyeshmëri dhe askush nuk mund të besojë se mund të ketë një marrëveshje të suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë, jo për veriun, por për asgjë tjetër.
“Raporti ynë tregon se bllokimi i lirisë së lëvizjes në veriun e Mitrovicës është shndërruar në presion për vet Prishtinën për të shkuar për të bërë marrëveshje me Beogradin, por në anën tjetër është shndërruar në kërkesë të Beogradit për ta futur veriun e Kosovës në temë dialogu. Ne mendojmë dhe raporti ynë tregon, se parakushti i parë me të cilin mund të bisedohet me Beogradin për çfarëdo çështje, është dashtë të ishte që KFOR-i dhe EULEX-i të garantojnë liri bazike të lëvizjes në veriun e Kosovës“, thotë Korenica.
Ndërsa, Dren Doli nga ky Grup ka pohuar se krejt kjo nuk nënkupton që po kërkojnë ndërprerje të bisedimeve me Serbinë.
“Nuk është kërkesë e jona që dialogu të ndërpritet. Kërkesë e jona është që në rast kur diskutohet marrëveshja ato nuk mund të diskutohen duke përjashtuar veriun e Kosovës. Kërkesë e jona është që Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë marrëveshje të cilat i pamundësojnë ushtrimin efektiv të autoritet të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në veriun e Kosovës”, theksoi Doli.
Përveç këtyre, raporti jep edhe rekomandime të tjera që kryesisht shkojnë në drejtim për t’i garantuar liri të lëvizjes qytetarëve në veri të Kosovës./Indeksonline/