E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet që të rikthehet Dogana në Mutivodë

Pikë Kalimi Kufitar që ndodhet në fshatin Mutivodë po kërkohet nga Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës që të behët me sistem doganorë.

Mutivoda që i përket Regjionit të Malësisë së Gallapit, derisa xhindet nën kompetencën territoriale të Komunës së Prishtinës, aktualisht e ka të pranishme vetëm Policinë Kufitare.

Naim Makolli, këshilltarë në Komunë e Prishtinës, nga radhët e AKR-së, i ka drejtuar një kërkesë Komunës së Prishtinës në seancën e fundit plenare, që kjo e fundit të ngritë në nivelin qendrorë këtë shqetësim.

“Në Motivod, momentalisht gjendet veç Policia e cila me strukturat organizative të tanishme që ka, nuk garanton menaxhimin efikas të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike. Kjo përbërje nuk i plotëson as kushtet minimale për të funksionuar, parandaluar dhe luftuar krimin, si dhe aq më pak shtimin e sigurisë në këtë hapësirë territoriale”, thuhet në kërkesën e Makollit që e posedon Indeksonline.

Krejt këtë, Makolli thotë se po e bënë nën arsyetimin se Malësia e Gallapit po braktiset nga popullata e saj gjithnjë e më shumë si pasojë e vështirësive ekonomike dhe të mungesës së sigurisë.

Por, Adriatik Stavileci zëdhënës në Doganën e Kosovës,tha për Indeksonline se Dogana vendoset kryesisht ne pikat komerciale te kalimit te mallrave, por edhe ne pikat ku ka frekuentim më të madh të udhëtarëve.

Stavileci tha se, Mutivoden më herët e ka mbuluar Dogana e Kosovës, por sipas tij, pas analizave të bëra nuk është vërejtur nevoja e qëndrimit të doganierëve pasi që kjo pikë kufitare nuk ka importe te mallrave komerciale.

“Kjo pikë nuk është e autorizuar për kalim te mallrave. Policia e Kosovës i kryen të gjitha detyrat e parapara me ligj dhe IBM-në dhe në rast se dikush bartë mallra komerciale, policia është e detyruar te kthen mbrapa”, thotë Stavileci.

Ai tha se Dogana nuk ka shënime nëse kalojnë mallra ilegale në atë pjesë, pasi që Policia është aty, por pohon se gjithsesi se mund të ketë raste kur mallrat kalojnë nga vija e gjelbër por analizat kane treguar se nuk janë.

Megjithëkëtë, Makolli ka vlerësuar se, Qeveria e Kosovës duhet të intervenoj dhe reflektoj urgjentisht duke u përqendruar në këtë Regjion me investime kapitale për një zhvillim ekonomik më ndryshe nga ky i sotmi dhe njëkohësisht duke garantuar siguri të plotë për banorët e kësaj ane.

“Asamble Komunale e Prishtinës, ku territorialisht graviton pika kufitare e Mutivodes, pa dallime partiake,duhet qe t`i kërkojmë shpjegim nivelit qendror për mos përfshirjen e pikës kufitare të Mutivodës në Projektin për Menaxhimin e Integruar të Kufijve. Pra ky pik kalim kufitar duhet të kthehet në kufi doganor te integruar ,dhe kjo mund të realizohet përmes një Plani të veprimit të Qeverisë së Kosovës në kuadër te bisedimeve aktuale mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar Makolli. /Indekosnline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›