E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i-Rexhepit: Hetimi për arrestimet, përgjegjësia juaj

Hetimi i rrëmbimit të dy policëve të Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe del të mos jetë punë ekskluzivisht e KFOR-it. Trupat e NATO-s në Kosovë thonë se ata nuk janë në vijë të parë të hetimit për rastin e së shtunës, kur dy pjesëtarë të Policisë Kufitare u morën nga forcat serbe.

Dan Harway, shef i zyrës për media në KFOR, thotë se hetimi dhe sqarimi i këtij incidenti më shumë është çështje e autoriteteve të Kosovës dhe misionit të EULEX-it. “Hetimi nuk është çështje e KFOR-it. Pse nuk e pyesni ministrin tuaj (Bajram Rexhepin) i cili e ka thënë këtë”, thotë Harway për gazetën Express.

Sipas tij, KFOR-i nuk ka thënë asnjëherë se do të hetojë këtë çështje, pasi ata besojnë se kjo është përgjegjësi e EULEX-it dhe vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. “Ju duhet ta sqaroni këtë me ministrin tuaj të Punëve të Brendshme dhe EULEX-in”, thotë Harway i cili vë në dyshim edhe diçka tjetër.

Rastin e arrestimit të policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe, të cilin Ministri Bajram Rexhepi e cilësoi si rrëmbim, del se KFOR-i e shikon nga një këndvështrim tjetër.

“Në lidhje me këtë që thoni ju (rrëmbimin) ne e shikojmë nga një perspektivë tjetër”, thotë zyrtari i KFOR-it në Prishtinë, i cili megjithatë sqaron se tani për tani është herët të flitet për detaje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›