KFOR pakt me serbët për zhbllokimin në veri, Thaçi: Nuk ka kthim prapa

Borisllav Stefanoviç, Erhard Buhler, Goran Bogdanoviç
Mitrovicë, 4 gusht 2011, NOA Pak pas arritjes së marrëveshjes për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, mes shefit të KFOR-it dhe zyrtarëve të Beogradit, qeveria e Kosovës ripërsëriti se për të nuk ka kthim prapa në kontrollimin e plotë të pikave doganore 1 dhe 31.
Në një komunikatë të publikuar mëngjesin e sotëm nga zyra e shtypit e qeverisë bëhet me dije se nuk ka kthim prapa, do të vazhdojë kontrolli i plotë i pikave 1 dhe 31, e domosdoshme të hiqen bllokadat rrugore dhe krijimi i plotë i kushteve të sigurisë për të gjithë qytetarët në veri.
Qeveria e Kosovës lajmëron se konsultat shtesë me autoritetet e KFOR-it do të vazhdojnë edhe sot.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Gjenerali i KFOR-it, Erhard Buhler, mbrëmjen e vonë të së mërkurës u konsultuan mbi situatën në veri të Kosovës dhe mbi marrëveshjen e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe kontrollimin e plotë të pikave 1 dhe 31.
Më herët po gjatë mbrëmjes komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, arriti një marrëveshje me kryenegociatorin serb Borislav Stefanoviç dhe ministrin serb Goran Bogdanoviç, për zhbllokimin e situatës në veri të Kosovës, në dy pikat kufitare.
Takimi i mbajtur në kampin e KFOR-it Nothing Hill rezultoi me një marrëveshje prej tri pikash.
Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinje) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bernjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit shtator 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.
Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.
Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.
mit/NOA