E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Bisedimet SHBA-Ukrainë do të përqendrohen në teknikat e armëpushimit

KIEV, 21 mars /ATSH-DPA/- Bisedimet mes përfaqësuesve ukrainas dhe amerikanë në Arabinë Saudite të hënën do të përqendrohen kryesisht në teknikat rreth një armëpushimi të kufizuar të mundshëm midis Rusisë dhe Ukrainës, tha sot Ministria e Jashtme në Kiev.

“Ky takim do të shërbejë për të vendosur parametrat për opsionet e ndryshme të propozuara të armëpushimit aktualisht në tryezën e bisedimeve” tha sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi.

Tykhyi tha se Ukraina kishte rënë dakord me propozimin e SHBA-së për një armëpushim të plotë që zgjat 30 ditë dhe fajësoi sërish Rusinë për mosarritjen e një armëpushimi deri më tani.

Ai shtoi se Ukraina nuk kishte informacion se si do të zhvilloheshin negociatat e veçanta midis SHBA-së dhe Rusisë në Riad, duke theksuar se Ukraina po përgatitej vetëm për bisedime me përfaqësuesit amerikanë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha nuk do të udhëtojë në Arabine Saudite, por ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov do të marrë pjesë në takimin me ndërmjetësit amerikanë.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit të plotë të Rusisë për më shumë se tre vjet.

Bisedimet në Riad do të përqendrohen në propozimin e SHBA-së për të mbrojtur anijet në Detin e Zi duke zbatuar një armëpushim të kufizuar detar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›