KIEV – Ukraina raporton dëme në infrastrukturë pas sulmeve të fundit ruse

KIEV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia ka nisur një sulm në qytetin verior të Ukrainës, Shostka, ku ndodhen disa fabrika armësh, dhe ka shkatërruar disa “objekte infrastrukturore”, tha sot kryebashkiaku Mykola Noha në Facebook.
“Dymbëdhjetë ndërtesa shumëkatëshe dhe dy institucione arsimore janë dëmtuar gjithashtu”, tha Noha, pa dhënë asnjë informacion për viktima.
Qyteti në rajonin Sumy, i vendosur rreth 250 kilometra në verilindje të Kievit pranë kufirit rus, kishte një popullsi të paraluftës prej më shumë se 70 000 banorësh.
Administrata ushtarake e Kievit gjithashtu raportoi dëme të shkaktuara nga rënia e mbeturinave të raketave në pjesën lindore të qytetit.
Sipas raporteve të pakonfirmuara, disa raketa ruse u qëlluan në objektiva në zonën e Kievit pranë bazës ajrore Vasylkiv.
Shpërthime të shumta janë dëgjuar në kryeqytet gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, me sa duket nga zjarri kundërajror.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, forcat ruse vendosën raketa balistike dhe drone luftarake.
“Pothuajse, 70 dronë ukrainas u rrëzuan në vende të ndryshme mbi territorin rus dhe gadishullin ukrainas të aneksuar të Krimesë në Detin e Zi gjatë natës”, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
“Aeroportet në Kazan, mbi 700 kilometra në lindje të Moskës, dhe Vladikavkaz, pranë kufirit me Gjeorgjinë, pezulluan përkohësisht operacionet për arsye sigurie”, njoftuan mediet lokale.
Më 25 dhjetor, një aeroplan pasagjerësh azerbajxhanas u dëmtua në hapësirën ajrore ruse dhe u detyrua të devijonte drejt Kazakistanit ku u rrëzua, duke vrarë më shumë se 30 njerëz.
Ka të dhëna se avioni është goditur nga mbrojtja ajrore ruse.
Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi rus në shkallë të plotë për gati tre vjet.//a.i./