E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Aleatët të punojnë drejt përcaktimit të një formati për bisedimet me Rusinë

KIEV, 25 janar /ATSH-AFP/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se aleatët duhet të punojnë drejt përcaktimit të një formati për çdo bisedim të ardhshëm të paqes me Rusinë dhe se Kievi duhet të përfshihet për negociata të suksesshme.

Deklarata e tij e fundit ngre spekulime mbi mundësinë e bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit brutal që ka kushtuar jetën e dhjetëra mijëra personave pas gati tre vitesh luftime.

“Unë e kuptoj se kontaktet mund të jenë në formate të ndryshme”, tha Zelensky, duke iu referuar negociatave të mundshme që do të çonin në “një paqe të drejtë”.

“Unë mendoj se ne duhet të fokusohemi në këtë sot”, tha ai.

Në fillim të kësaj jave, presidenti Vladimir Putin tha se ishte gati për bisedime me homologun e tij amerikan Donald Trump për Ukrainën, duke e vlerësuar atë si një udhëheqës “i zgjuar” që mund të kishte parandaluar fillimin e konfliktit në shkurt 2022.

Putini nuk tha se kur mund të zhvillohen bisedimet dhe Kremlini tha më herët se ishte ende në pritje të “sinjaleve” nga Uashingtoni, pavarësisht se Trump njoftoi të enjten se ishte i gatshëm të takonte Putinin “menjëherë”.

Trump, i cili u kthye në detyrë të hënën, e ka quajtur konfliktin “qesharak” dhe paralajmëroi Rusinë se do të vendoste sanksione më të ashpra ekonomike nëse nuk pranonte të ndalonte ofensivën e saj.

Zelensky tha në Kiev se bisedimet për t’i dhënë fund luftës duhet të zhvilloheshin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ukrainës dhe Rusisë, si dhe Bashkimit Evropian.

“Nuk mund të them sot se çfarë lloj negociatash do të zhvillohen, cila do të jetë struktura e procesit të negociatave, sepse ne nuk kemi ende një plan të përbashkët”, shtoi Zelensky.

Ai përsëriti një pikë të përbashkët bisedimi midis zyrtarëve ukrainas se çdo negociatë që përjashtonte Kievin nuk do të garantonte përfundimisht ndonjë paqe të qëndrueshme.

Zelensky ka paraqitur disa propozime për t’i dhënë fund konfliktit, duke përfshirë të ashtuquajturin planin e tij të fitores në një samit në Ukrainë vitin e kaluar – që mblodhi së bashku dhjetëra vende dhe organizata ndërkombëtare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›