Rama ndan foton me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Kryeministri ndau në rrjetet sociale një foto me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare foli për vlerat dhe kontributin e komunitetit bektashi për Shqipërinë, ndërsa iu referua edhe librit të shkrimtarit kanadez Robert Elsie “Bektashinjtë shqiptarë, historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”.
“Bektashizmi nuk është thjesht një sekt fetar, por është një dritë udhëzuese që shkon përtej kufirit të besimit duke ofruar një mesazh të paepur dashurie dhembshurie dhe largpamësie. Ajo çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi në mënyrë të paekuivok tek largpamësia, bektashizmi ka edhe atdhedashurinë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se sot e gjithë ditën qasja e bektashizmit ndaj hyjnores dhe humanes mbetet një çelës komunikimi me krijuesin përmes një porte që është e gjerë dhe e hapur për të gjithë bektashinjtë ose jo, besimtarë ose jo.