E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Rusia ka dislokuar 170, 000 trupa për sulm në Donetsk

MOSKË, 31 tetor /ATSH/- Rusia ka dislokuar rreth 170 000 trupa në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë, ku po përpiqen të pushtojnë fortesën e Pokrovskut – në një përpjekje për një fitore të betejës, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas AP.

“Situata në Pokrovsk është e vështirë”, tha Zelensky, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e fundit ruse se qyteti i shkatërruar ishte rrethuar pas më shumë se një viti luftimesh.

Ai pranoi se disa njësi ruse kishin infiltruar qytetin, por këmbënguli se forcat mbrojtëse ukrainase po i eliminonin ata.

“Ka rusë në Pokrovsk”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Kiev.

“Ata po shkatërrohen gradualisht, sepse ne duhet të ruajmë personelin tonë”, tha ai.

Në rrethimet e mëparshme gjatë pothuajse katër viteve që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, Kievi është tërhequr nga disa vende për të shmangur humbjen e trupave.

Forcat ukrainase janë në një pozitë të dobët përballë ushtrisë më të madhe të Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin kohët e fundit ka pohuar se forcat ruse po bëjnë avancime të konsiderueshme në fushën e betejës, megjithëse avancimi i tyre ka qenë i ngadaltë dhe i kushtueshëm.

Putini po përpiqet të bindë SHBA-në, e cila dëshiron që ai të kërkojë një marrëveshje paqeje, pasi Ukraina nuk mund t’i rezistojë superioritetit ushtarak rus.

Gjithashtu, Putini ka theksuar përmirësimin e aftësive bërthamore të Rusisë, ndërsa refuzon të heqë dorë nga ato që i quan “qëllime legjitime të luftës” së vendit të tij. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›