KIEV – Zelensky: Shpresoj të flas së shpejti me Trump për planin amerikan të paqes

KIEV, 20 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka marrë zyrtarisht një plan paqeje të hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, njoftoi sot zyra e tij .
“Si rezultat i takimit të sotëm, kemi rënë dakord të punojmë mbi pikat e planit në mënyrë që të çojnë në një përfundim të dinjitetshëm të luftës”, shkruhej në Telegram nga zyra e Zelenskyt pas takimit me një delegacion amerikan.
Ajo theksoi se Ukraina ka synuar një zgjidhje paqësore që nga fillimi i luftës dhe do të mbështesë çdo propozim të qëndrueshëm që afrojnë “paqen e vërtetë”, duke përmendur bashkëpunimin e saj me propozime të mëparshme nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
“Ne tani jemi gjithashtu të gatshëm të punojmë në mënyrë konstruktive me palën amerikane dhe partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën për të arritur paqen”, thuhej në deklaratë.
Zelensky shpreson të flasë së shpejti me Trump për të diskutuar pikat kryesore të draftplanit, të cilin zyra e tij nuk e ka zbuluar në detaje.
Mediet amerikane dhe britanike raportuan dje se Uashingtoni ka hartuar një plan paqeje me 28 pika, me synim t’i japë fund luftës në Ukrainë, e cila u fillua nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Raportohet se përmbajtja e planit bazohet kryesisht në pozicionet ruse, gjë që e bën të mundshme refuzimin nga Kievi.
Sipas “Financial Times”, drafti amerikan besohet të përfshijë koncesione të gjera ndaj Moskës, duke i kërkuar Ukrainës të zvogëlojë gjysmën e ushtrisë së saj dhe të dorëzojë provincat lindore të okupuara nga Rusia, përfshirë Donetskun dhe Luhanskun.
Plani do t’i jepte gjithashtu Rusisë kontrollin e zonave që nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë pothuajse katër viteve të luftës së plotë. /Ad.Ab./