KIEV – Zelensky: Ukraina dëshiron paqe të qëndrueshme që Rusia të mos e shkatërrojë në të ardhmen

KIEV, 8 dhjetor /ATSH-AFP/- Udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se i kishte thënë presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump – se Kievit i duhej një paqe e qëndrueshme që Rusia të mos e shkatërronte në të ardhmen, pasi ata u takuan në Paris për bisedime mbi luftën pothuajse trevjeçare.
Trump tha më herët se Zelensky ishte i interesuar për një “marrëveshje” dhe bëri thirrje për fillimin e negociatave.
Trump dhe Zelenksy u takuan një ditë më parë me liderin francez Emmanuel Macron në Pallatin Elysee.
Trump tha gjatë fushatës elektorale se ai mund t’i japë fund konfliktit me shpejtësi.
“Unë deklarova se ne kemi nevojë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – një paqe që rusët nuk duhet ta shkatërrojnë brenda disa viteve, siç kanë bërë vazhdimisht në të kaluarën”, tha Zelensky në media sociale.
Pothuajse, tre vjet luftë kanë shkatërruar Ukrainën, duke shkaktuar mijëra të vdekur dhe larguar miliona banorë nga vendi.
“Ukrainasit duan paqen më shumë se kushdo tjetër. Rusia solli luftë në tokën tonë dhe është Rusia ajo që më së shumti kërkon të prishë mundësinë e paqes”, tha ai.
Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të mos bënin një sy qorr ndaj pushtimit duke shtuar se Kievi do të pajtohej vetëm me një marrëveshje që do të sillte një paqe afatgjatë.
“Lufta nuk mund të jetë e pafund – vetëm paqja duhet të jetë e përhershme dhe e besueshme”, tha ai.
Zelensky tha se 43 000 trupa ukrainase ishin vrarë në luftime, ndërsa rreth 370 000 ishin plagosur.
Të dyja palët besohet se kanë pësuar viktima masive dhe kjo shifër besohet të jetë shumë më e lartë. //a.i/