KIEV – Zelensky dënon ”shantazhin evropian” kundër Kievit për rihapjen e ”Druzhba”-s

KIEV, 15 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar aleatët e tij evropianë për “shantazh” të Kievit për tubacionin ”Druzhba” (”Miqësia”), i cili transporton naftën ruse, ndërsa shprehu gjithashtu shqetësimin se Shtetet e Bashkuara mund ta braktisin Ukrainën për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Zelensky pretendoi se evropianët po e ushtronin presion për të riparuar tubacionin ”Druzhba”, i cili transporton naftën ruse, duke e lidhur çështjen me një kredi evropiane prej 90 miliardë dollarësh, të bllokuar nga Budapesti, e cila po përdoret, ndër të tjera, për të blerë armë për Ukrainën.
Tubacioni, i dëmtuar sipas Kievit nga një sulm ajror rus në janar në Ukrainën perëndimore, që atëherë ka qenë në zemër të një mosmarrëveshjeje midis Ukrainës dhe Hungarisë fqinje.
“Po më detyrojnë të rivendos ‘Druzhba’-n”, i tha Zelensky një grupi gazetarësh, të shtunën.
“U thashë miqve tanë në Evropë se kjo quhet shantazh”, theksoi ai.
“Si ndryshon kjo nga heqja e sanksioneve kundër rusëve?” pyeti ai, duke iu referuar vendimit të SHBA-së për të lehtësuar sanksionet mbi shitjet e naftës ruse për shkak të krizës së naftës të shkaktuar nga lufta në Iran.
Ukraina thotë se riparimet e tubacioneve mund të zgjasin deri në gjashtë javë, duke zemëruar Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat mbështeten tek ajo për nevojat e tyre energjetike./ a.jor.