E Diel, 1 Nëntor 2026

KUVAJT – Një dron godet bazën italo-amerikane ”Ali Al Salem”

DOHA, 15 mars /ATSH-AFP-ANSA/ – Ushtria italiane raportoi sot se një sulm me dron shënjestroi bazën ”Ali Al Salem” në Kuvajt, e cila strehon trupa italiane dhe amerikane, duke shtuar se sulmi nuk shkaktoi të lënduar.

“Baza ‘Ali Al Salem’ në Kuvajt u shënjestrua këtë mëngjes nga një sulm me dron që goditi strehën e një mjeti ajror pa pilot që i përkiste Task Forcës Italiane, i cili u shkatërrua”, tha shefi i Shtabit të ushtrisë italiane, gjenerali Luciano Portolano, në një deklaratë në X.

“I gjithë personeli është i sigurt dhe shëndoshë e mirë”, shtoi ai.

Ushtria italiane deklaroi se numri i personelit në bazë ishte zvogëluar ditët e fundit për shkak të “situatës në zhvillim të sigurisë në zonë”.

“Personeli që mbetet në bazë është përgjegjës për kryerjen e misioneve thelbësore” të kësaj pranie ushtarake, sipas të njëjtit burim.

“Avioni që u godit ishte thelbësor për aktivitetet operative dhe kishte mbetur i vendosur në bazë për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve”, deklaroi ushtria italiane.

Një bazë ushtarake italiane në Kurdistanin irakian u shënjestrua gjithashtu nga një sulm me dron javën e kaluar, i cili nuk shkaktoi të lënduar.

Megjithatë, Roma njoftoi më pas tërheqjen e përkohshme të personelit – më pak se 300 persona – të cilët ishin të stacionuar në Erbil si pjesë e një force ndërkombëtare./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›