E Enjte, 5 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky kërkon zgjerimin e prodhimit të armëve në Ukrainë

KIEV, 13 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se, me ndihmën e investimeve perëndimore, ai kërkon të zgjerojë ndjeshëm prodhimin e armëve në vendin e tij, i cili ka qenë në luftë me Rusinë për më shumë se dy vjet.

“Kapaciteti ynë industrial na lejon të prodhojmë shumë më shumë drone, më shumë predha dhe pajisje ushtarake sesa lejojnë aftësitë financiare të vendit tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij dje në mbrëmje.

‘Perëndimi mund të sigurojë paratë, veçanërisht pasi shumë partnerë aktualisht nuk janë në gjendje të ndihmojnë në mënyrë adekuate Ukrainën për shkak të mungesës së armëve të tyre”, tha Zelensky.

“Gjithashtu, disa partnerë kanë teknologji të veçanta që mund të përdoren në Ukrainë tani”, shtoi ai.

Udhëheqësi ukrainas falënderoi të gjithë ata që kishin investuar tashmë në sektorin e mbrojtjes së vendit të tij – veçanërisht në prodhimin e dronëve.

Zelensky tha gjithashtu se gjatë vizitës së tij në Paris në fillim të javës, u diskutua për një model të ri bashkëpunimi mes Ukrainës dhe Francës, duke shtuar se kjo çështje do të “elaborohej në nivelin e Ministrive të Mbrojtjes”.

Zelensky ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron ta bëjë Ukrainën një nga vendet prodhuese më të mëdhaja të armëve në botë.

Ukraina është duke luftuar kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022.

Ukraina është mbështetur në armët e furnizuara nga mbështetësit perëndimorë, por shpreson të rrisë në mënyrë dramatike prodhimin e pajisjeve mbrojtëse në vend.

Sipas burimeve ushtarake, vendi ka nevojë urgjente për armë dhe municione të reja.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›