KIEV – Zelensky zbulon planin e fitores duke kërkuar ftesë të menjëhershme për t’u anëtarësuar në NATO

KIEV, 16 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi sot një ftesë të menjëhershme për vendin e tij për t’u anëtarësuar në NATO, pasi paraqiti në parlamentin ukrainas “planin e fitores” të shumëpritur për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Ky plan varet nga partnerët. Theksoj: nga partnerët”, u tha Zelensky ligjvënësve dhe udhëheqjes ushtarake në Kiev.
“Kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore me rreze të gjatë që pengojnë Ukrainën të godasë objektivat brenda Rusisë duhet të hiqen”, tha Zelensky, duke përsëritur një kërkesë që ai ka bërë prej muajsh.
Një aspekt tjetër i planit është që vendet fqinje të Kievit të rrëzojnë dronët rusë mbi Ukrainë nga territoret e tyre.
Zelensky sugjeroi gjithashtu vendosjen e një arsenali të madh armësh jo-bërthamore në Ukrainë për të penguar Rusinë nga agresioni i mëtejshëm.
Presidenti ukrainas u kishte paraqitur më parë planin e tij të fitores aleatëve në Uashington, Berlin dhe Paris, por jo të gjitha aspektet ishin bërë publike.
Ai do të marrë pjesë të enjten në një samit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke synuar të marrë mbështetje për planin e tij. //a.i/