KINË – Li: Tarifat amerikane një akt tipik i unilateralizmit, proteksionizmit dhe bullizmit ekonomik

PEKIN, 8 prill /ATSH-ANSA/ – Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tarifimin ndaj të gjithë partnerëve të saj tregtarë, përfshirë Kinën dhe Evropën, me justifikime të ndryshme. Ky është një akt tipik i unilateralizmit, proteksionizmit dhe bullizmit ekonomik, deklaroi kryeministri kinez Li Qiang kundër politikave të Donald Trump.
Në një bisedë telefonike me presidenten e Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen, Li siguroi se Pekini ka “instrumente të mjaftueshme të politikës rezervë për t’u mbrojtur plotësisht nga ndikimet e jashtme negative”, në raportin e publikuar në mbrëmje nga diplomacia kineze.
Kina tha sot se do të “luftonte deri në fund” dhe do të ndërmerrte kundërmasa kundër SHBA-së – për të mbrojtur interesat e veta – pasi presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi se do të vendoste një tarifë shtesë prej 50% për importet kineze, sipas AP.
Ministria e Tregtisë tha se vendosja e të ashtuquajturave “tarifa reciproke” nga SHBA-ja ndaj Kinës ishte plotësisht e pabazë dhe një praktikë tipike bullizmi e njëanshme.
Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka njoftuar tarifa hakmarrëse dhe ministria la të kuptohet në deklaratën e saj të fundit se mund të vijnë më shumë masa./ /os/