E Hënë, 2 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes Peter Greene, i njohur për rolet në “Pulp Fiction” dhe “The Mask”

LONDËR, 13 dhjetor /ATSH/- Peter Greene, aktori i njohur për rolet në “Pulp Fiction” dhe “The Mask”, ka vdekur në moshën 60-vjeçare, sipas “Sky News”.

Greene u gjet i vdekur dje në apartamentin e tij në Nju Jork. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.

Aktori amerikan, Greene u vlerësua për portretizimin e personazheve të ndryshëm të këqij dhe kriminalë në karrierën e tij si aktor, e cila nisi kur ai ishte në të 20-at.

“Askush nuk luajti një personazh të keq më mirë se sa Peter”, tha menaxheri i tij, Gregg Edwards.

“Por, gjithashtu ai kishte një anë të butë që shumica e njerëzve nuk e panë kurrë, dhe një zemër të madhe”, shtoi ai.

Greene luajti personazhin Zed, një roje sigurie, përdhunues sadist, në filmin e vitit 1994 të Quentin Tarantino, “Pulp Fiction”.

Ai gjithashtu portretizoi personazhin e keq, Dorian në filmin e Jim Carrey, “The Mask”, në të njëjtin vit.

Përveç roleve dytësore, Greene luajti në filmin e vitit 1993 “Clean, Shaven”, në të cilin luajti rolin e një personazhi me skizofreni – i cili dyshohej për një vrasje.

Ai mbahet mend gjithashtu për rolin e tij në “Training Day” në vitin 2001, përkrah Denzel Washington. Greene u shfaq gjithashtu në “The Usual Suspects” në vitin 1995.

Greene lindi në Montclair, Nju Xhersi dhe la pas një motër dhe një vëlla. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›