E Diel, 1 Nëntor 2026

KKIE takim ndërgjegjësues për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me BE

TIRANË, 12 shkurt /ATSh/ Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) organizoi, në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Evropian dhe Negociatave (AIEN), një takim ndërgjegjësues mbi rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e negociatave në Bashkimin Evropian. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 45 përfaqësues nga Organizata të Shoqërisë Civile (OSHC), bota akademike, institucione të ndryshme të pushtetit qendror dhe lokal etj, si edhe studentë të Akademisë së Negociatave.

Diskutimi u përqendrua në rolin e Kuvendit dhe të KKIE-së, jo vetëm në forcimin e funksionit mbikëqyrës dhe kontrollues ndaj qeverisë për hapat e ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave, por edhe në rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit publik mbi këtë proces.

Takimi u përshëndet nga Taulant Balla, bashkëkryetar i KKIE-së, i cili, pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe të gjithë aktorëve të shoqërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Balla prezantoi ecurinë e deritanishme të negociatave, pritshmëritë për përmbylljen e kapitujve brenda vitit 2027, si dhe rolin që pritet të luajë Kuvendi në diplomacinë parlamentare për përshpejtimin e ratifikimit të Traktatit të Aderimit nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së.

Balla ndau gjithashtu sfidat që shoqërojnë procesin, të cilin e cilësoi njëkohësisht teknik dhe politik, si dhe theksoi rolin e Kuvendit në përmbushjen e piketave të ndërmjetme. Ai vuri në dukje punën e bërë nga KKIE për organizimin e takimeve informuese me grupe interesi dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë, me synim informimin e gjerë mbi procesin, duke nënvizuar se përfituesit përfundimtarë të reformave integruese janë qytetarët.

Duke e konsideruar jetike shndërrimin e integrimit në një debat gjithëpërfshirës, Balla theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve ndërgjegjësuese për të informuar qytetarët mbi përfitimet dhe detyrimet që shoqërojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në vijim, drejtoresha e Sekretariatit Teknik të KKIE-së, Elda Zenelaj, si dhe Ana Çoba, koordinatore Projekti në Akademinë e Negociatave, inkurajuan të rinjtë të jenë sa më aktivë në promovimin e vlerave evropiane dhe në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar.

Takimi vijoi me një sesion pyetjesh dhe diskutimesh me Zenelajn, mbi rolin e deritanishëm të Kuvendit në procesin e negociatave, detyrimet për raportimin e ecurisë, transparencën e procesit legjislativ dhe përafrimin me acquis të BE-së, përfshirjen e pushtetit vendor dhe kontributin e shoqërisë civile në këtë proces, etj.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›