E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja në Grupin C1 të UEFA Nations League, përballet me Finlandën, Bjellorusinë e San Marinon

BRUKSEL, 12 /ATSh/ Në Bruksel është hedhur sot shorti i edicionit të ri të UEFA Nations League. Kombëtarja shqiptare është pozicionuar në Grupin C1 dhe do të përballet me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon.

Rrugëtimi i Shqipërisë në UEFA Nations League do të nisë në shtator 2026. Ndeshja e parë e fazës së grupeve do të luhet në periudhën 24-26 shtator, ndërsa takimi i dytë është programuar në datat 27-29 shtator.

Ndeshja e tretë e grupit do të zhvillohet nga 30 shtatori deri më 3 tetor, ndërsa e katërta në periudhën 4-6 tetor. Takimi i pestë i grupit do të luhet nga 12-14 nëntor, ndërsa përballja e fundit është planifikuar në datat 15-17 nëntor.

Shqipëria mban vendin e 63-të në renditjen e FIFA-s. Finlanda pozicionohet si vend i 75-të, Bjellorusia 98-të dhe San Marino në vend të fundit (210).

Sipas rregullores së UEFA-s, vendet e para sigurojnë ngjitjen në Ligën B, ndërsa vendet e dyta mund të përfshihen në fazën “play-off”, në varësi të formulës përfundimtare. Në këtë kontekst, objektivi i Shqipërisë është i qartë: fitimi i grupit dhe rikthimi në Ligën B, si dhe ruajtja e një rruge alternative drejt kualifikimit në EURO 2028.

Liga e Kombeve mbetet një kompeticion i rëndësishëm për kombëtaret europiane, pasi ndikon drejtpërdrejt në renditjen e UEFA-s dhe në mekanizmat shtesë të kualifikimit për turnetë madhorë.

Një risi e rëndësishme e këtij edicioni është ndryshimi i kalendarit ndërkombëtar. Për herë të parë, UEFA ka bashkuar dritaret e shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme të zgjatur. Kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje nga 24 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të luhen në periudhën 12–17 nëntor. Ky format i ri synon të reduktojë ngarkesën e udhëtimeve për lojtarët dhe erdhi pas diskutimeve të gjata me klubet europiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›