E Diel, 1 Nëntor 2026

KLGJ pranon pjesërisht kërkimin e ILD-së për gjyqtarin Shkëlzen Liçaj, vendos “vërejtje publike”

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj vendosi të enjten me 5 shkurt të caktojë masën disiplinore “vërejtje publike” ndaj gjyqtarit të Durrësit, Shkëlzen Liçaj, duke pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që kërkoi “ulje page” për këtë magjistrat lidhur me vonesa në arsyetimin e vendimeve. Relatori i çështjes, anëtari Bledar Bajri paraqiti mendimin e tij, duke vlerësuar se duhet të pranohet pjesërisht kërkimi i ILD-së, duke konstatuar se ka shkelje disiplinore, por të caktohet masa “vërejtje publike”.

Gjatë diskutimeve për propozimin e Bajrit, nënkryetarja Yllka Rupa tha se ishte dakord me kërkimin e ILD-së. Megjithatë ajo solli në vëmendje se gjyqtari ka qenë në fillimet e karrierës së tij.

Në përfundim, KLGJ votoi pro propozimit të Bajrit, duke caktuar masën disiplinore “vërejtje publike” ndaj gjyqtarit Shkëlzen Liçaj.

Gjatë paraqitjes së parashtrimeve të tij në seancaj e mëparshme, gjyqtari Liçaj nënvizoi se e kishte filluar detyrën në vitin 2020 në Gjykatën e Sarandës, ku asnjëherë në atë periudhë, organika nuk kishte qenë e plotë. Ai shpjegoi në atë periudhë kishte pasur ndërprerje të punës për shkak të pandemisë dhe kur kishin rifilluar, ngarkesa e tij kishte shkuar mbi 600 çështje. Tjetër argument i Liçajt ishte dhe fakti se ai gjykonte njëkohësisht në Sarandë, Përmet e në Gjirokastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›