E Diel, 1 Nëntor 2026

KLP pranon kërkesën e ILD për masë disiplinore ndaj prokurores së Korçës

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates A.K., prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar sot nga KLP, pas rishqyrtimit të çështjes, e cila lidhet me një procedim disiplinor të nisur nga ILD për shkelje të dispozitave që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, si dhe për shkelje të rregullave të konfidencialitetit dhe ndalimit të përhapjes së informacionit që lidhet me një hetim në zhvillim ose të përfunduar.

Procedimi disiplinor vjen pas një vendimi të mëparshëm të KLP-së, të datës 2 tetor 2025, ku ishte rrëzuar kërkesa e ILD-së për caktimin e masës disiplinore. Pas ankimit të ILD-së, Gjykata Administrative e Apelit pranoi padinë dhe i la detyrë KLP-së të rishqyrtojë kërkesën për procedimin disiplinor ndaj prokurores.

Sipas raportit hetimor të ILD-së, prokurorja A.K. ka nënshkruar shkresa pa pasur kompetencën përkatëse dhe ka nxjerrë e u ka dërguar personave të tretë kopje të akteve që ishin pjesë e një dosjeje hetimore ende në proces.

Sipas ILD-së, këto veprime kanë anashkaluar autoritetin e drejtuesit të prokurorisë, kanë cenuar imazhin institucional të organit të akuzës dhe kanë krijuar rrezik për mbarëvajtjen e hetimit.

Gjithashtu, në raportin hetimor të ILD-së evidentohet se publikimi i akteve procedurale mund të ndikojë negativisht në besimin e publikut te institucioni i prokurorisë, e cila duhet të veprojë në përputhje me ligjin dhe jo mbi bazën e vullnetit individual të magjistratit.

Gjatë rishqyrtimit të çështjes, ILD i kërkoi sërish KLP-së vendosjen e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj prokurores A.K., për shkeljet e parashikuara në nenin 102, pika 1, shkronjat “g” dhe “j” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

KLP vendosi të pranojë kërkesën e ILD-së dhe të caktojë masën disiplinore të propozuar ndaj prokurores.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›