E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KLP thirrje për mediet: Raportimet e njëanshme cenojnë besimin e publikut te drejtësia

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një njoftimi për mediet ka deklaruar se vlerëson misionin e medias së pavarur për informimin e publikut, duke respektuar parimin e objektivitetit dhe atë të moscenimit të dinjitetit njerëzor, të familjes dhe mbrojtjes së jetës private.

KLP bën me dije se “që të garantohet autoriteti dhe paanshmëria e sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i bashkohet qëndrimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor në mbështetje të të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, lidhur me disa raportime mediatike që mund të rezultojnë në cenim të integritetit dhe pavarësisë së tyre”.

Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, “etiketimet e përdorura, vlerësimet e njëanshme, pa shqyrtime të kujdesshme dhe objektive, siç e kërkon gazetaria profesionale, devijojnë raportimin e paanshëm dhe të balancuar nga media”.

“Kjo mund të sjellë një informim joprofesional dhe cenim të besimit të publikut tek drejtësia. Drejtësia e pavarur dhe profesionale duhet të prevalojë në çdo rast, ndaj nxisim bashkëpunimin me median për një raportim të drejtë, të balancuar dhe të verifikuar”, cilësohet në njoftim.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›