KLSH do të auditojë marrëveshjen hidrokarbure me Bankers

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Çeku deklaroi sot se do të nisë një auditim për zbatimin e marrëveshjes hidrokarbure të kompanisë Bankers Petrolium me Albpetrol.
Gjatë një raportimi në Komisionin të kreut të KLSH-së, deputeti i PS-së, Erion Braçe i kërkoi KLSH-së që duke qenë se kontrata me këtë kompani është drejt përfundimit, të bëhet një auditim i përgjithshëm i kësaj marrëveshjeje për të parë se sa janë zbatuar detyrimet në marrëveshje.
“Mbi bazën e gjetjeve të KLSH-së, adoptuar më pas nga DPT janë bërë gjetje që i kanë vendosur detyrim të madh Bankers, i cili e kontestoi, e çoi në Arbitrazh. Tani kemi një vendim arbitrazhi. Marrëveshja duhet të bëhet pjesë e auditimit me qëllim që të marrim atë që na takon nga marrëveshja dhe nga vendimi i Gjykatës. Ky është shqetësimi që unë kërkoj”, tha Braçe
Është mirë, vijoi Braçe, edhe sepse ky auditim do të duhet të udhëheqë vendimmarrjen e qeverisë, se ç’duhet të bëjë nëse do të zgjasë marrëveshjen, me të njëjtën kompani, sepse nuk është kompania e origjinës, është një tjetër kompani e përfituar nga transaksionet që kanë kryer kompanitë me njëra tjetrën. “Nëse nuk do ta zgjasë do ta mbyllë këtë marrëveshje? Ku do ta çojë”. Do ta çojë te Albpetrol, do të zgjedhë një partner tjetër”, shtoi ai.
Në funksion të kësaj vendimmarrje, vijoi deputeti Braçe, na duhet një auditim i përgjithshëm që mund të përfshijë të gjitha gjetjet.
”Duhet të na japë një përgjigje edhe ne si ligjbërës, pasi kontrata mund të vijë sërish në Parlament. Dua të di nga 20 vite kontratë me Bankers çfarë kemi përfituar në zhvillim dhe në të ardhura. Është pasuria më e madhe që kanë shqiptarët. Ajo fushë naftëmbajtëse është pasuria më e madhe që kanë pasur shqiptarët”, deklaroi deputeti.
Nga ana e tij, kreu i KLSH-së sqaroi se në vijimësi e drejtpërdrejt KLSH ka kryer auditime të marrëveshjes hidrokarbure me Bankers.
“Pas përfundimit të raportimit para jush do të nis kryerja e veprimeve audituese për shkak se është i një rëndësie tepër të veçantë. Do të vëmë në dispozicion të Komisionit të gjitha gjetjet në faza të ndryshme të kryerjes së auditit që nga momenti i konstatimit e në vijimësi”, deklaroi Çeku.
Ai bëri të ditur se krahas auditit të kërkuar nga deputeti, do të kryhet edhe një audit tjetër për të parë situatën pas kryerjes së këtyre proceseve naftënxjerrëse në këto zona për të trajtuar dëmet e shkaktuara.
Kreu i Komisionit, Eduard Shalsi propozoi që deputetët të bëhen pjesë në procesin e auditimit për çështje që konsiderohen të rëndësishme, praktikë kjo sipas tij, që ndiqet edhe në vende të tjera të zhvilluara si Anglia.