E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kompensohen pronarët që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Elbasan 1 – Cërrik

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e linjës 110 kV Elbasan 1 – Cërrik.

Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 440 484 lekësh.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Po ashtu, ASHK pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›