KLSH, kallzëm drejtorit të AKTI-t, ka shkaktuar 10 milionë lekë dëm shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallzon në Prokurori Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit pasi i ka shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 10 milionë lekë të reja.
Sipas një njoftimi të KLSH-së thuhet se gjatë auditit të kryer në këtë agjensi u konstatuan mjaft parregullsi dhe shkelje të legjislacionit.
Për veprimet e kryera prej tij, me pasojë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit në vlerën 10,724,000 lekë dhe keqmenaxhim të thellë të Agjencisë, KLSH, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedures Penale ka bërë me dt. 3103.2013 kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të AKTI, Y. P., për konsumim të veprës penale “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH i ka rekomanduar Bordit Drejtues të AKTI-t 11 masa të karakterit organizativ, 4 masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën 10,682,974 lekë dhe 2 masa disiplinore, përkatësisht: “Shkarkim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm i AKTI Y.P. dhe “Largim nga Shërbimi Civil” për Drejtorin e Drejtorisë së Programeve Kombëtare në AKTI, E.A thuhet në raportin e KLSH-së.
Ja shkeljet që janë konstatuar nga KLSH-ja
Nga auditimi në 3 (tre) projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej(prej të cilave 4 me subjekte private dhe të tjerat me institucione publike), u zbuluan parregullsi dhe shkelje të ligjshmërisë, me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 10,724 mijë lekë. Konkretisht:
Parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit, si: shkresa për përballimin e shpenzimeve pa numër protokolli dhe pa datë, mungesë të ftesave dhe programit, të dokumenteve informuese mbi agjendën dhe rezultatet e shërbimeve zyrtare të kryera etj.
Mosmiratim i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencisë, në zbatim të pikës 11, të VKM-së nr. 903, datë 26.08.2009, i ndryshuar. Mungesa e rregullores, ndër të tjera ka sjellë që të mos realizohet një nga kërkesat themelore që rregullon veprimtarinë e kësaj Agjencie, të përcaktuar në pikën 9, të VKM-së të sipërcituar dhe konkretisht: “AKTI, për çështjet e përmbajtjes dhe të vlerësimit të programeve e të projekteve, mbështetet me ekspertizë nga komisionet e vlerësimit të programeve e projekteve, që propozohen nga Drejtori i Përgjithshëm dhe miratohen nga Bordi Drejtues, në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie”. Po ashtu, mungesa e Rregullores ka bërë që anëtarët e komisioneve të vlerësimit të përzgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i AKTI-së pa konkurrencë (alternativa) dhe pa u bazuar në ndonjë kriter apo ndonjë procedurë të përcaktuar më parë.
Mosdorëzim në organin epror, në Këshillin e Ministrave dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik të regjistrave vjetorë të parashikimit dhe realizimit të prokurimeve për vitin 2010, 2011 dhe 2012, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në VKM-në nr. 1, datë 10.01.2007 “Për Rregullat e Prokurimit Publik”, i ndryshuar; moscaktimin e Koordinatorit të riskut dhe mosngritjen e Grupi të Menaxhimit Strategjik të AKTI-t, si dhe moshartimin dhe mosarkivimin e gjurmëve të auditimit të detajuara për procedurat e prokurimit publik, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.
Gjatë gjithë periudhës nën auditim, Bordi Drejtues i Agjencisë ka funksionuar pa Sekretar i cili zgjidhet nga anëtarët e tij, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
Për të gjitha parregullsitë dhe shkeljet financiare të konstatuara dhe të pasqyruara gjerësisht në raportin përfundimtar të auditimit, përgjegjësi direkte mban Drejtori i Përgjithshëm i AKTI.