KOMENT – BE përpiqet të ushtrojë presion për uljen e tensioneve në LM

NIKOZIA, 24 prill /ATSH-AFP/ – Pa asnjë ndikim të vërtetë përballë luftës në Lindjen e Mesme, udhëheqësit evropianë u përpoqën të ushtronin presion sot për uljen e tensioneve duke pritur presidentët e Libanit, Egjiptit dhe Sirisë si dhe princin e Kurorës të Jordanisë në Qipro.
Tetë javë pas sulmeve të para të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, udhëheqësit e BE-së morën këtë iniciativë për t’iu kundërvënë akuzave për pafuqi me të cilat përballen rregullisht.
”Takimi shërbeu kryesisht për të riafirmuar mbështetjen e palëkundur për Libanin dhe sovranitetin e tij”, tha presidenti i Këshillit Evropian António Costa, në sfondin e armëpushimit të brishtë me Izraelin.
Në të djathtë të tij, presidenti libanez Joseph Aoun theksoi “sfidat e konsiderueshme humanitare dhe ekonomike” me të cilat përballet vendi i tij, i cili “ende nuk ishte rikuperuar nga krizat e njëpasnjëshme” kur shpërtheu kjo luftë e re.
Antonio Costa gjithashtu i bëri thirrje Iranit që të rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit “pa taksa”.
“Kjo është jetike për të gjithë botën”, këmbënguli ai.
Konflikti ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë evropiane, fatura e së cilës për naftë dhe gaz është rritur me 24 miliardë euro.
Për të ndihmuar në qetësimin e situatës, BE-ja mund të zgjerojë fushëveprimin e misionit të saj të mbrojtjes së trafikut detar ”Aspides” dhe ta transformojë atë në një operacion të përbashkët koordinimi detar më të sofistikuar, propozoi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Fillimisht, ky mision detar i BE-së, i përbërë nga tre anije luftarake, ishte projektuar për të mbrojtur anijet tregtare në Detin e Kuq nga rreziku i sulmeve nga rebelët Houthi, aleatë të Iranit.
Së bashku me vendet në rajon, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dëshiron gjithashtu që BE-ja të intensifikojë përpjekjet e saj kundër dronëve përmes “bashkëpunimit strukturor” për të “rritur prodhimin e mbrojtjes”.
– Afrimi me Sirinë –
Pa ndonjë bujë të madhe, takimi në Qipro ishte shumë simbolik.
Në fillim të konfliktit, bazat e NATO-s atje ishin shënjestruar nga dronë të prodhuar në Iran.
”Dhe ky vend i Mesdheut Lindor është një urë midis Evropës dhe Lindjes së Mesme”, theksoi presidenti i saj, Nikos Christodoulides.
“Evropa duhet të përfshihet edhe më shumë në Lindjen e Mesme”, kishte thënë më parë Emmanuel Macron.
“Ne të gjithë kemi interes” që stabiliteti të kthehet “sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi presidenti francez, në atë që dukej si një përgjigje ndaj Donald Trump, i cili kohët e fundit pohoi se kishte gjithë kohën në dispozicion për të negociuar paqen me Iranin.
Franca është e gatshme të organizojë një konferencë në mbështetje të forcave të armatosura libaneze sa herë që Bejruti e konsideron të përshtatshme.
Takimi në Nikozia shënoi gjithashtu afrimin midis evropianëve dhe presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa.
Brukseli po përgatitet të presë dialogun e parë politik të nivelit të lartë midis Sirisë dhe Bashkimit Evropian më 11 maj, duke hapur rrugën për një marrëveshje të mundshme asocimi.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim rimëkëmbjen e ekonomisë siriane dhe pajtimin e shoqërisë së saj”, deklaroi Ursula von der Leyen.
Ahmed al-Sharaa e mirëpriti këtë “ngjarje të madhe” për të “konsoliduar rolin e Sirisë si një partner strategjik” i BE-së.
Një ish-rebel xhihadist, presidenti sirian përmbysi Bashar al-Assad në dhjetor 2014 dhe që atëherë ka bërë udhëtime të shumta për të ripozicionuar vendin e tij në skenën ndërkombëtare./ a.jor.