Malaj pret Whitaker: Rritje e shpenzimeve për mbrojtjen, fokusi tek industria ushtarake dhe inovacioni teknologjik

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj priti sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.
Në takim, ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, u rikonfirmua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si një shtyllë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë euroatlantike.
“Shqipëria mbetet e vendosur në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës Euroatlantike, duke vijuar përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare”, u shpreh ministri Malaj.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në mënyrë progresive në rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes, në përputhje me angazhimin e përbashkët të vendeve anëtare për të arritur nivelin deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, me fokus të veçantë në zhvillimin e industrisë ushtarake dhe inovacionit teknologjik.
Ky orientim strategjik, sipas tij, konsolidon më tej profilin e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv në NATO.
/e.xh/a.f/r.e/