KOMENT – Cilat janë pasojat pas eliminimit të Haniyeh?

PARIS, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Vdekja e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, mund të forcojë militantët e lëvizjes islamike palestineze dhe të çojë në hakmarrje kundër Izraelit.
Shumë figura politike palestineze mirëpresin kontributin e njeriut që ishte kryeministër në Gaza në luftën për të drejtat palestineze, por banorët e territoreve të pushtuara janë të shqetësuar për të ardhmen.
Pas gati 10 muajsh lufte midis Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës dhe një përshkallëzimi midis grupeve të armatosura në Libanin jugor dhe Izraelit, situata është veçanërisht shpërthyese.
– Kush mund ta pasojë Haniyeh? –
Zëvendësi i Haniyeh, Saleh al-Arouri, u vra më 2 janar në një sulm që i atribuohet Izraelit në periferitë jugore të Bejrutit.
Tani priten dy pasardhës.
Moussa Abou Marzouk, një zyrtar i lartë i byrosë politike që konsiderohet i afërt me pozicionet e Haniyeh.
Më i moderuar se krahu i armatosur i Hamasit, Marzouk mbron pranimin e kufijve të vitit 1967 për një shtet të ardhshëm palestinez.
Një pozicion i diskutueshëm brenda lëvizjes.
Në vitet 1990, ai banonte në Shtetet e Bashkuara ku u arrestua, i akuzuar si i lidhur me financimin e krahut të armatosur të Hamasit. Më pas ai jetoi në Jordani, Egjipt dhe Katar.
Abou Marzouk përfaqësoi Hamasin në disa negociata indirekte me Izraelin.
Një tjetër pasardhës i mundshëm, Khalil al-Haya është numri dy në zyrën politike të Hamasit në Gaza dhe e njeh mirë kreun e krahut të saj të armatosur, Yahya Sinouar.
Në vitin 2006, ai udhëhoqi bllokun parlamentar të Hamasit, i cili sapo kishte dalë fitues nga zgjedhjet legjislative të cilat degjeneruan në përleshje të armatosura me lëvizjen Fatah të presidentit Mahmud Abbas.
Një përkrahës i zjarrtë i luftës së armatosur, ai humbi disa anëtarë të familjes së tij gjatë sulmeve izraelite në Gaza në vitin 2007.
Disa vëzhgues parashtruan edhe emrin e Khaled Mechaal, paraardhësit të Haniyeh.
– Çfarë ndikimi ka për Hamasin? –
“Hamasi do ta kapërcejë këtë krizë”, siguron një anëtar i lëvizjes.
”Izraeli ka vrarë liderë të mëdhenj si themeluesi i lëvizjes, Sheikh Ahmed Jassin, dhe kjo vetëm sa ka rritur fuqinë e Hamasit”, shton ai, në kushte anonimiteti.
Kur të takohen, drejtuesit e saj do të kenë “shumë personalitete të aftë për të udhëhequr”, shton Joost Hiltermann, drejtor i programit të Lindjes së Mesme të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG).
Por për Hugh Lovatt, studiues në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (ECFR), kjo “ngjarje jashtëzakonisht traumatike për lëvizjen (…) mund të inkurajojë palët e vijës së ashpër”.
“Haniyeh ka krijuar një dinamikë të moderuar brenda Hamasit, edhe nëse është relative”, shpjegon ai.
– Çfarë pasojash ka për Izraelin? –
Nëse izraelitët u gëzuan për vdekjen e Haniyeh në rrjetet sociale, shumë kanë frikë nga një përshkallëzim ushtarak.
”Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim në Gaza dhe për kthimin e pengjeve të kapur nga Hamasi në Izrael më 7 tetor janë komprometuar”, beson Lovatt.
”Sepse udhëheqja politike e bazuar në Doha, e udhëhequr nga Haniyeh, do të kishte bërë presion ndaj Sinouar dhe udhëheqjes së Hamasit për të pranuar një armëpushim”, tha ai.
Për Mkhaimar Aboussada, shkencëtar politik palestinez, raprezaljet mund të vijnë “nga Bregu Perëndimor ose grupet e Hamasit në Libanin jugor”. Dhe për të përmendur mundësinë e “një sulmi vetëvrasës ose një të shtëna kundër ushtarëve ose kolonëve izraelitë”.
Sipas mediave izraelite, kabineti i luftës izraelite do të mblidhet sot pasdite në Jerusalem.
– Po për rajonin? –
“Kjo vrasje e çon luftën në një nivel tjetër dhe do të ketë pasoja të mëdha në të gjithë rajonin”, kërcënoi krahu i armatosur i Hamasit.
“Edhe nëse aktorët e përfshirë nuk synojnë të fillojnë një luftë të plotë, çdo përshkallëzim rrit rrezikun që situata të dalë jashtë kontrollit”, shpjegon Lina Khatib nga grupi ”Chatham House”.
Nëse Irani nuk ka njoftuar se si synon t’i përgjigjet kësaj vdekjeje në territorin e tij, shumica e analistëve theksojnë se, ashtu si lëvizja islamike Hezbollah e shënjestruar gjithashtu nga Izraeli në 24 orët e fundit, ai nuk ka interes të nisë një luftë në shkallë të gjerë me Izraelin.
“Irani do të reagojë dhe mobilizojë aleatët e tij vetëm nëse kërcënohen interesat e tij jetike, gjë që aktualisht nuk është kështu,” thotë Hiltermann./ a.jor.