E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – G7 në bisedime mes pasigurisë politike pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale

ROMË, 25 nëntor /ATSH-AFP/- Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha sot se ishte “optimist” për një ndërprerje të armiqësive në Liban, pasi tensionet në Lindjen e Mesme dominuan takimin e G7 pranë Romës.

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë diskutuan gjithashtu urdhërarrestet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe liderin ushtarak të Hamasit.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken mori pjesë në bisedimet në qytetet Fiuggi dhe Anagni me ministra nga Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania, Franca, Japonia dhe Italia.

“Unë jam optimist për Libanin – edhe nëse ai ishte më i ndërlikuar se Gaza”, tha Tajani në një konferencë për shtyp ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim intensifikohen.

“Ne jemi fuqimisht të përkushtuar që të nxisim fuqishëm Izraelin dhe Hamasin për t’i dhënë fund kësaj lufte në Palestinë”, tha ai.

Megjithatë, Tajani la të kuptohet se ka vështirësi në arritjen e një qëndrimi të paqartë mbi vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

ICC lëshoi ​të enjten urdhërarreste kundër Netanyahut dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes Yoav Gallant si dhe Mohammed Deif, liderit të Hamasit.

Ata janë akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, që pas sulmit të grupit militant palestinez më 7 tetor 2023.

Izraeli dhe aleatët e tij e dënuan vendimin, por ai u mirëprit nga Turqia dhe organizatat e të drejtave te njeriut.

Disa vende thanë se do të respektojnë urdhrat e ICC-së dhe do ta arrestojnë Netanyahun nëse ai hyn në territorin e tyre. Vende të tjera ende po shqyrtojnë përgjigjen e tyre.

“Ministrat e G7 po punojnë për të gjetur një marrëveshje mbi formulimin në lidhje me vendimin e ICC-së – në deklaratën e tyre përfundimtare”, tha Tajani.

“Ndërsa mund të mos pajtohemi me mënyrën se si qeveria e Netanyahut ka vepruar në Gazë – unë besoj se ne duhet të negociojmë me kreun izraelit për të arritur paqen në Liban dhe paqen në Palestinë”, tha ai.

Një seancë e dytë e G7 do të përfshijë ministra nga Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe.

Bisedimet e G7 vijnë mes pasigurisë politike pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Diskutimet nesër do të fokusohen në Ukrainë në prani të ministrit të Jashtëm të vendit të shkatërruar nga lufta, Andriy Sybiga.

“Zyrtarët do të diskutojnë mënyrat për të vazhduar mbështetjen e Kievit, perspektivat për paqen dhe nismat për rindërtimin e ardhshëm”, sipas zyrtarëve italianë.

Në të njëjtën ditë në Bruksel, ambasadorët e vendeve të NATO-s dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime per sulmet ruse me të një rakete eksperimentale hipersonike me rreze të mesme veprimi.

“Uniteti është forca jonë për momentin, mbi të gjitha i referohem marrëdhënieve me Federatën Ruse”, tha Tajani.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, njoftoi paketën më të madhe të sanksioneve të vendit të tij kundër 30 anijeve ruse.

Tensionet në Azi-Paqësor janë gjithashtu në axhendën e G7, dhe Italia ftoi ministrat e Jashtëm nga Koreja e Jugut, India, Indonezia dhe Filipinet.

Ministrat e G7 pritet të diskutojnë gjithashtu krizat në Haiti dhe Sudan, si dhe tensionet politike në Venezuelë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›