E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KOMENT – Izraeli akuzon Hamasin për kërkesa të minutës së fundit në marrëveshjen e armëpushimit

TEL AVIV, 16 janar /ATSHD-DPA/- Izraeli vonoi dje në mbrëmje një mbledhje të kabinetit për të miratuar marrëveshjen e armëpushimit që synonte t’i jepte fund më shumë se 15 muajve të luftës në Rripin e Gazës – duke akuzuar grupin islamik Hamas se kishte kërkuar lëshime të minutës së fundit edhe pse avionët luftarakë izraelitë po vazhdonin të bombardonin Gazën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha përmes zyrës së tij se Hamasi kishte refuzuar të pajtohej me të gjitha pjesët e marrëveshjes – e cila mbulon kushtet për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gazë.

“Grupi po përpiqej për lëshime të minutës së fundit”, tha Netanyahu.

Marrëveshja u shpall dje në mbrëmje dhe do të hyjë në fuqi të dielën. Takimi i kabinetit izraelit fillimisht, ishte planifikuar për sot në orën 11:00 të mëngjesit.

“Kabineti do të mblidhet për të miratuar marrëveshjen – pasi ndërmjetësit të informojnë Izraelin se Hamasi ka pranuar të gjithë elementët e marrëveshjes”, tha zyra e Netanyahut.

“Hamasi ka shkaktuar një “krizë” në negociata”, shtoi ai.

Hamasi nuk ka bërë asnjë koment për akuzat e Izraelit.

Sipas transmetuesit izraelit “Kan”, një arsye tjetër për shtyrjen e takimit mund të jetë se ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich nuk e ka informuar ende Netanyahun – nëse partia e tij ka vendosur të largohet nga qeveria – në shenjë proteste kundër marrëveshjes së planifikuar.

Detajet e armëpushimit në Rripin e Gazës – që u njoftua dje zyrtarisht nga Katari dhe presidenti amerikan Joe Biden – thuhet se janë ende duke u finalizuar në Katar.

Uebfaqja izraelite e lajmeve “Ynet” tha se këto bisedime përfshinin “detaje teknike” siç është përbërja e saktë e listës së të burgosurve palestinezë – që do të lirohen nga burgjet izraelite.

Marrëveshja synon t’i japë fund luftës që shpërtheu më 7 tetor 2023 – kur terroristët e udhëhequr nga Hamasi u larguan nga Gaza – dhe vranë rreth 1200 njerëz në komunitetet jugore izraelite.

Që atëherë, autoritetet palestineze thonë se më shumë se 46 700 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë.

Shifra, e cila nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve, nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›