KOMENT – Politika britanike akuzon Farage për mbështetje të Putinit

LONDËR, 22 qershor /ATSH-DPA/ – Lideri i lëvizjes ”Reform UK”, Nigel Farage është akuzuar se “i bën jehonë justifikimit të ndyrë të Putinit për pushtimin brutal të Ukrainës”.
Sekretari i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly e bëri këtë akuzë pasi Farage tha se “ishim ne që e provokuam këtë luftë”, duke tërhequr një lidhje midis zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në dekadat e fundit dhe konfliktit në Evropën Lindore.
Në një intervistë në BBC One, Farage u përball me pyetje në lidhje me opinionin e tij për presidentin rus Vladimir Putin.
Ai u përgjigj se “unë nuk e pëlqej atë si person, por e admiroj si një operator politik, sepse ai ia doli të marrë kontrollin e drejtimit të Rusisë”.
Putin ka shërbyer vazhdimisht si president ose kryeministër rus që nga viti 1999, me zgjedhje të cilat janë përshkruar si “të manipuluara”.
Farage, një ish-deputet i Parlamentit Evropian, gjithashtu tha se “do t’ju them atë që ju nuk e dini, unë u ngrita në Parlamentin Evropian në 2014 dhe thashë, dhe citoj, do të ketë një luftë në Ukrainë”.
“Pse e thashë këtë? Ishte e qartë për mua se zgjerimi gjithnjë në lindje i NATO-s dhe Bashkimit Evropian po i jepte këtij njeriu një arsye popullit të tij rus për të thënë, ata po vijnë përsëri për ne dhe për të shkuar në luftë”, deklaroi Farage.
Farage vazhdoi të thoshte se ai kishte bërë komente të ngjashme “që nga vitet 1990, që nga rënia e Murit të Berlinit.
”Ne provokuam këtë luftë”, vijoi ai.
Farage ka tërhequr kritika nga politikanë të lartë, duke përfshirë Cleverly i cili shkroi në X se “vetëm Farage i bën jehonë justifikimit të ndyrë të Putinit për pushtimin brutal të Ukrainës”.
Sekretari i Mbrojtjes në hije të laburistëve, John Healy tha se Farage “më mirë do të lëpijë çizmet e Vladimir Putinit sesa të ngrihet në mbrojtje të popullit të Ukrainës” dhe shtoi se “këto janë komente të turpshme, të cilat zbulojnë fytyrën e vërtetë të Nigel Farage, një apolog i Putinit që nuk duhet besuar kurrë”.
“Deri më tani, ka pasur një front të bashkuar midis liderëve politikë të BM në mbështetjen e popullit të Ukrainës kundër sulmit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm që ata kanë pësuar nga duart e Vladimir Putin”, theksoi ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Tobias Ellwood i tha ”Daily Telegraph” se ”Churchill do të kthehej përmbys në varrin e tij”.
“Putin, tashmë duke shijuar mënyrën se si Farage po prish politikën britanike, do të jetë i kënaqur të dëgjojë këtë bisedë për zbutjen gjatë debatit tonë zgjedhor”, shtoi ai.
Zgjedhjet e përgjithshme në BM do të mbahen më 4 korrik./ a.jor.