E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – Si do të ndikojnë tarifat gjithëpërfshirëse të Trump ndaj dhjetëra vendeve?

UASHINGTON, 7 gusht /ATSH-DPA/- Tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj importeve nga rreth 70 vende dhe Bashkimi Evropian hynë në fuqi sot, duke përfshirë një shifër marramendëse prej 50% ndaj importeve braziliane, 39% ndaj Zvicrës dhe 35% ndaj Kanadasë.

Trump ka mbrojtur qëndrimin e tij agresiv tregtar duke përmendur deficitet e vazhdueshme, të cilat ai pretendon se përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Duke e paraqitur çështjen si një emergjencë, ai argumentoi se tarifat do të mbrojnë bizneset amerikane dhe do të ringjallin prodhimin vendas. Aktualisht, masat po kundërshtohen në gjykatat amerikane.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trump ka synuar pothuajse çdo vend duke kërcënuar me tarifa më të larta, përfshirë aleatët e ngushtë.

Tarifat shpesh janë rishikuar, vonuar ose hequr tërësisht, dhe janë përdorur si levë për të nxitur vendet të lidhin marrëveshje dypalëshe me Uashingtonin.

Gjithashtu midis vendeve më të goditura nga tarifat amerikane janë, Afrika e Jugut (30%), Laosi dhe Mianmari (40%) dhe Siria e shkatërruar nga lufta (41%).

Njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian tani duhet të paguajnë një taksë prej 15%, nga 30% që Trump paralajmëroi fillimisht – pas një marrëveshjeje të minutës së fundit me Komisionin Evropian.

Kritikët e marrëveshjes thanë se komisioni kishte rënë dakord për një kompromis që, ndonëse më pak i rëndë se sa kërcënoi fillimisht, prapëseprapë favorizon qartë SHBA-në.

Përveç 15%, BE-ja i premtoi Trump se do të blinte energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë deri në fund të mandatit të tij.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gazi natyror i lëngshëm (LNG), nafta dhe lëndët djegëse bërthamore të SHBA-së do të mbushin boshllëqet e krijuara nga heqja e plotë e gazit dhe naftës ruse.

Komisioni njoftoi gjithashtu se 600 miliardë dollarë investime evropiane pritet të rrjedhin në SHBA, duke përmendur interesin e sektorit privat.

Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Japoninë, kohët e fundit arritën marrëveshje të veçanta tregtare me SHBA-në për të shmangur penalitetet e ashpra.

Vëmendja tani kthehet te Uashingtoni dhe Pekini, pasi dy ekonomitë më të mëdha në botë janë pranë përfundimit të afatit të pezullimit 90-ditor të tarifave.

Të dyja palët kanë kërcënuar se do të vendosin tarifa importi mbi 100% ndaj njëra-tjetrës nëse bisedimet dështojnë.

India, e cila tashmë u godit me një taksë prej 25%, po përgatitet që kjo normë të dyfishohet deri në fund të muajit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›