E Martë, 3 Nëntor 2026

IZRAEL – SHBA: Vendimi për aneksimin e Gazës u takon vetëm izraelitëve

JERUZALEM, 7 gusht /ATSH/ – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi në një intervistë  se vendimi për të aneksuar Rripin e Gazës i takon vetëm qeverisë izraelite, duke theksuar se SHBA-ja nuk do të diktojë hapat e Izraelit, sipas “CBS News”

“Është një vendim që vetëm izraelitët mund ta marrin”, tha Huckabee, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të diskutojë me ministrat e lartë mundësinë e zgjerimit të kontrollit ushtarak në Gazë.

Huckabee shtoi se presidenti Trump është i gatshëm të ofrojë “këshillë e mençuri” nëse i kërkohet, por theksoi se nuk është puna jonë  t’u themi çfarë duhet apo s’duhet të bëjnë ”.

Në lidhje me situatën humanitare në Gaza, Huckabee pranoi se njerëzit atje po vuajnë nga uria, por fajësoi Kombet e Bashkuara për refuzimin e ndihmës që nuk ka mbrojtje ushtarake dhe Hamasin për vjedhje të ndihmave.

Megjithatë, Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se nuk ka prova që ndihmat po vidhen nga Hamasi. Huckabee u shpreh skeptik ndaj kësaj deklarate.

Ai përmendi fondacionin e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, Gaza Humanitarian Foundation (GHF), si një nga mënyrat më efektive për shpërndarjen e ndihmës, me plane për zgjerimin e qendrave të ndihmës nga 4 në 16.

Për të ardhmen e palestinezëve në Gaza, Huckabee tha se shumë duan të qëndrojnë dhe të rindërtojnë, por ka edhe nga ata që duan të largohen. Ai këmbënguli se askush nuk duhet të detyrohet të largohet.

Për sa i përket zgjidhjes me dy shtete, ai tha se nuk është pozicioni i tij si ambasador për të vendosur.

“Është një qëllim aspirativ, por kur pyet për detajet, askush nuk ka përgjigje të qarta”, përfundoi Huckabee. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›