E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Ukraina arrin “mirëkuptim” me SHBA-në për planin e paqes

LONDËR, 25 nëntor /ATSH/- Ukraina njoftoi se është arritur një “mirëkuptim i përbashkët” me SHBA-në mbi një marrëveshje paqeje që synon t’i japë fund luftës me Rusinë, sipas BBC.

Propozimi bazohet në një plan prej 28 pikash të paraqitur nga SHBA-ja javën e kaluar, mbi të cilin zyrtarët amerikanë dhe ukrainas punuan gjatë bisedimeve të fundjavës në Gjenevë.

Në një postim në mediat sociale, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se plani origjinal ishte përmirësuar, me kontributin e të dyja palëve.

“Kam udhëzuar të dërguarin tim të posaçëm, Steve Witkoff të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dhe, në të njëjtën kohë, sekretari i Ushtrisë Dan Driscoll do të takohet me ukrainasit”, tha Trump.

Kremlini më herët tha se Rusia nuk ishte konsultuar ende mbi draftin e ri të marrëveshjes – duke paralajmëruar se mund të mos pranonte ndryshime në planin e javës së kaluar.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se ndërsa Moska kishte qenë në favor të kuadrit fillestar të SHBA-së, situata do të ishte ndryshe nëse do të kishte pësuar ndryshime thelbësore.

“Deri sot në mëngjes, Kremlini nuk kishte marrë një kopje të planit të ri”, tha Lavrov, duke akuzuar Evropën për minimin e përpjekjeve të paqes të SHBA-së.

Zyrtarët amerikanë nuk iu drejtuan publikisht shqetësimeve të Rusisë, megjithëse sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, dhe përfaqësuesit rusë zhvilluan takime dje dhe sot në Abu Dhabi.

Disa nga çështjet për të cilat Rusia dhe Ukraina janë ende thellësisht në mosmarrëveshje thuhet se kanë mbetur të pazgjidhura deri më tani – duke përfshirë garancitë e sigurisë për Kievin dhe kontrollin e disa rajoneve të konfliktuara në lindje të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha sot se ishte gati të takohej me Trump për të diskutuar “pikat e ndjeshme”, ndërsa administrata e tij synon një takim para fundit të muajit.

“Unë po mbështetem në bashkëpunim të mëtejshëm aktiv me palën amerikane dhe me presidentin Donald Trump. Varet shumë nga Amerika, sepse Rusia i kushton vëmendjen më të madhe forcës amerikane”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi mundësinë e bisedimeve dypalëshe, por Trump shkroi në media sociale se mezi priste të takohej me presidentët Zelensky dhe Putin – por vetëm kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të ishte në fazat e saj përfundimtare.

Pavarësisht optimizmit relativ të Shtëpisë së Bardhë, udhëheqësit evropianë dukeshin dyshues nëse pas pothuajse katër vitesh lufte paqja mund të ishte e arritshme.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se nuk shihte asnjë vullnet rus për një armëpushim, ndërsa Downing Street paralajmëroi se ishte një rrugë e vështirë përpara.

Aleatët evropianë të Ukrainës, “Koalicioni i të Gatshmëve”, zhvilluan sot një takim virtual të kryesuar nga Macron dhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer.

Gjatë takimit – së cilës iu bashkua edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio – udhëheqësit ranë dakord për krijimin e një grupi pune – për të “forcuar” garancitë e sigurisë që do t’i ofrohen Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Çështja e garancive të sigurisë është vetëm një nga fushat në të cilat Moska dhe Kievi kanë mosmarrëveshje.

Zelensky tha dje se problemi kryesor që bllokonte paqen ishte kërkesa e Putinit për njohje ligjore të territorit që Rusia kishte pushtuar.

Moska ka kërkuar vazhdimisht tërheqjen e plotë të Ukrainës nga i gjithë Donbasi lindor, i përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.

Forcat ruse kontrollojnë gjithashtu gadishullin e Krimesë dhe pjesë të mëdha të dy rajoneve të tjera, Kherson dhe Zaporizhia.

Raundi i fundit i diplomacisë erdhi pasi Rusia kreu sulme të rënda ndaj Ukrainës dje dhe sot, duke lëshuar 22 raketa dhe më shumë se 460 dronë në objektiva në të gjithë vendin. Sulmet rezultuan në vdekjen e 14 personave.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte kapur 249 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë mbi Detin e Zi dhe Kurskun, dhe se të paktën tre persona ishin vrarë në rajonin jugor të Rostovit.

Dhjetëra mijëra ushtarë dhe mijëra civilë janë vrarë ose plagosur, dhe miliona njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre që kur filloi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›