KOMENT – Xi dhe Putin riafirmojnë lidhjet e ngushta kino-ruse

PEKIN, 20 maj /ATSH-AFP/- Presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin deklaruan sot forcën dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, më pak se një javë pas përpjekjeve për afrimin diplomatik të ndërmarra në Pekin nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, takimi i tyre përfundoi pa ndonjë përparim të dukshëm në projektin strategjik të gazsjellësit që konsiderohet jetik për Moskën.
“Ne kemi arritur të thellojmë vazhdimisht besimin politik të ndërsjellë dhe koordinimin strategjik me një këmbëngulje të palëkundur që i ka rezistuar mijëra sprovave”, deklaroi Xi Jinping, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve, Hsinhua.
Nga ana e tij, Vladimir Putin foli për marrëdhënie që kanë arritur në një “nivel të paprecedentë”, pavarësisht ekzistencës së “faktorëve të jashtëm të pafavorshëm”.
Të dy liderët u takuan në një periudhë të mbushur me kriza të shumta ndërkombëtare që prekin drejtpërdrejt vendet e tyre, përfshirë rrezikun e rikthimit të përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, luftën në Ukrainë, si dhe tensionet në tregtinë globale dhe furnizimet me energji.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Kremlini, Rusia dhe Kina theksuan nevojën “për t’u rikthyer sa më shpejt te dialogu dhe negociatat” në Lindjen e Mesme. Sipas dokumentit, të dyja palët janë “plotësisht dakord” në vlerësimin se sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Tensionet në rajonin e Gjirit ishin një nga temat kryesore të diskutimeve mes dy liderëve, krahas vizitës së fundit të presidentit Trump në Kinë dhe zhvillimeve të luftës në Ukrainë.
Kremlini kishte bërë të ditur paraprakisht se këto çështje do të trajtoheshin gjatë një bisede informale me çaj në fund të ditës. Sipas medieve rus, takimi zgjati rreth një orë e gjysmë përpara se pamjet televizive të tregonin largimin e Putinit drejt aeroportit.
Televizioni shtetëror kinez raportoi se dy presidentët “shkëmbyen pikëpamje mbi krizën ukrainase dhe çështje të tjera”, pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Në deklaratën e përbashkët të publikuar nga Kremlini, Rusia vlerësoi pozitivisht “qëndrimin objektiv dhe të paanshëm” të Kinës lidhur me luftën në Ukrainë.
Pekini, i cili prej kohësh përballet me presionin e vendeve perëndimore për të përdorur ndikimin e tij ndaj Moskës në mënyrë që të kontribujë në përfundimin e luftës, vazhdon të deklarojë zyrtarisht neutralitetin e tij.
Kina, e cila varet në masë të madhe nga tregtia ndërkombëtare dhe importet e naftës dhe gazit nga rajoni i Gjirit, ndikohet drejtpërdrejt nga kriza në Lindjen e Mesme.
Për Vladimir Putinin, përkundrazi, situata krijon mundësi të reja tregtare për Rusinë, e cila sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë ishte prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë dhe i dyti për gaz natyror në vitin 2023.
“Në sfondin e krizës në Lindjen e Mesme, Rusia ruan pozicionin e saj si një furnizues i besueshëm i burimeve energjetike”, deklaroi Putin.
Samiti kino-rus i dha presidentit rus mundësinë të përpiqej të çonte përpara projektin e gazsjellësit “Power of Siberia 2” (“Forca e Siberisë 2”), i cili synon të lidhë rezervat më të mëdha të gazit natyror në veri të Siberisë me tregun kinez.
Ky projekt do t’i ofronte Rusisë një treg alternativ për eksportet e saj të gazit, pasi Evropa ka reduktuar ndjeshëm blerjet e hidrokarbureve ruse pas pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, realizimi i tij po vonohet prej vitesh.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, Moska dhe Pekini kanë bërë “përparime”, por ende nuk kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare.
Megjithëse Kina po përballet me sfidat e veta ekonomike dhe gjeopolitike, Xi Jinping e priti Vladimir Putinin nga një pozicion force diplomatike, njësoj siç kishte vepruar më herët gjatë pritjes së Donald Trumpit në Pekin./ /Ad.Ab/ a.jor.